Mbi 300 mijë vota ka marrë në zgjedhjet e 14 shkurtit, Vjosa Osmani prijësja e Listës GUXO, thonë nga kabineti i saj.
Këtë e ka bërë të ditur zyrtari i Listës GUXO, Lendrit Iljazi, pak orë pasi që KQZ-ja ka bërë të ditur se kanë përfunduar numërimet.
Iljazi ka shkruar në Facebook se Vjosa Osmani ka marrë mbi 300 mijë vota.
“300.000 + vota✅Vjosa R. Osmani”, ka shkruar ai.
Osmani ka garuar në zgjedhjet e 14 shkurtit në Listën e Vetëvendosjes pas një marrëveshje bashkëpunimi që e njëjta ka nënshkruar me shefin e kësaj partie, Albin Kurti.
Në listën e LVV-së, Osmani ka mbajtur numrin 2, derisa, marrëveshja me Kurtin ia siguron të njëjtës garën për karrigen më të rëndësishme të shtetit, atë të presidentit.
Deri më tani nuk dihet sa anëtarë të Listës së Osmanit kanë arritur të sigurojnë ulëse në legjislaturën e re, megjithatë, është diskutuar që të njëjtët mund të shkëputen në një grup të veçantë parlamentar./Front Online/