Mërgimtarët edhe kësaj radhe kanë qëndruar afër familjeve të tyre në Kosovë
Remitencat nga diaspora në Kosovë kanë shënuar rekord gjatë periudhës një vjeçare të pandemisë.
Gjatë vitit 2020 diaspora dërgoi afër 1 miliard euro, sa gjysma e buxhetit të shtetit.
E pikërisht në muajin maj të 2020-ës, kur qeveria mori vendim për mbyllje totale, u shënuan të ardhurat më të mëdha të dërguara ndonjëherë brenda një muaji, pra 104 milionë euro, raporton TCH.
Por, pjesa më e madhe e remitancave, besohet të kenë shkuar në konsum ditor të familjeve kosovare. E njëjta gjë po ndodh edhe me investimet e huaja, ku pjesa dërrmuese shkojnë në patundshmëri e krejt në fund në sektorë që sjellin të ardhura dhe punësim.
Si rrjedhojë, Banka Qendrore e Kosovës ka sugjeruar qeverinë që të hartojë një plan, i cili do të mundësonte destinimin e remitencave dhe investimeve të huaja në sektor që do të ngrenë ekonominë e goditur rëndë nga pandemia.