Hykmete Bajrami ka dhënë dorëheqje sot nga pozita e Ministres së Financave.
Bajrami në letrën e saj të dorëheqjes drejtuar kryeministrit në detyrë, Avdullah Hoti ka deklaruar se po largohet nga pozita e Ministres për arsye personale dhe se do të angazhohet vetëm në pozitën e deputetes së Kuvendit të Kosovës, pas certifikimit të rezultateve të zgjedhjeve.
“Z. Kryeministër e shfrytëzoj rastin të ju falënderoj juve dhe të gjithë kabinetin qeveritar për bashkëpunimin dhe korrektësinë gjatë gjithë kësaj periudhe. Për mua ka qenë privilegj dhe përgjegjësi e madhe që të mbaj këtë pozitë në kohën më të vështirë për vendin, vështirësi këto të shkaktuara nga pandemia.
Së bashku me kabinetin dhe stafin civil të Ministrisë së Financave kemi bërë më të mirën e mundshme për të gjitha organizatat buxhetore, bizneset dhe qytetarët. Të falënderoj shumë për mbështetjen e deritanishme dhe mirëkuptimin në këtë kërkesë”, thuhet në kërkesën me shkrim të Bajramit.
Pas kësaj, Hoti ka pranuar dorëheqjen e Hykmete Bajramit derisa në vendin e saj tashmë është emëruar, ish zv/ministri, Agim Krasniqi.