Qeveria izraelite miratoi të hënën një marrëveshje për normalizimin e marrëdhënieve me Emiratet e Bashkuara Arabe, ndërsa kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu tha se kishte biseduar me Princin e Abu Dhabit dhe kishin rënë dakord të takoheshin së shpejti.
Marrëveshja e paqes, e cila vendos marrëdhënie të plota midis Izraelit dhe Emirateve të Bashkuara Arabe, u arrit me ndërmjetësimin e Shteteve të Bashkuara. Palestinezët e dënuan atë si një tradhti të përpjekjeve të tyre për të ndërtuar një shtet në territorin e pushtuar nga Izraeli.
Princi i Abu Dhabit, Mohammed bin Zayed al-Nahyan, udhëheqësi de facto i Emirateve të Bashkuara Arabe, shkroi në Twitter se kishte biseduar me Netanyahun për forcimin e lidhjeve dypalëshe dhe mundësive për paqe në rajon.
Në një deklaratë zyrtare, e cila përkoi me miratimin e marrëveshjes së 15 shtatorit, Netanyahu tha se do të takohej me Sheik Mohammed së shpejti, megjithëse nuk e përcaktoi kur.
“Gjatë fundjavës, unë bisedova me mikun tim, princin … dhe e ftova atë për të vizituar Izraelin”, tha Netanyahu.
“Ai më ftoi të vizitoja Abu Dhabi. Por së pari, ne do të mirëpresim delegacionin e Emirateve të Bashkuara Arabe këtu, dhe një nga delegacionet tona do të shkojë atje”, pohoi ai. /