×
  • Bota/Rajoni
  • Bota/Rajoni

    Izraeli godet hyrjen e një spitali në Gazë, vritet një mjek

    FrontOnline
    15 Prill 2025

    Një sulm ajror nga Izraeli goditi hyrjen e një spitali në Rripin e Gazës të martën, duke vrarë një punonjës mjekësor dhe duke plagosur nëntë persona të tjerë, tha një zëdhënës i spitalit.

    Sulmi goditi Spitalin Kuvajtian në zonën Muwasi, ku qindra mijëra persona kanë kërkuar strehim në kampe të mëdha me çadra. Të plagosurit ishin të gjithë pacientë dhe punonjës shëndetësorë, dhe dy prej pacientëve ishin në gjendje kritike pas sulmit, tha zëdhënësi i spitalit, Saber Mohammed.

    Ushtria izraelite nuk i ka komentuar raportimet për këtë zhvillim deri më tani.

    Të martën, një zëdhënës i Hamasit – grupit palestinez të shpallur organizatë terroriste nga SHBA-ja dhe BE-ja – tha se sulmet kishin shkaktuar humbje të kontaktit me njësinë që ruante pengun izraelito-amerikan, Edan Alexander.

    Hamasi tha se vendi ku mbahej Alexander ishte shënjestruar gjatë sulmit dhe se po përpiqeshin të lidhnin sërish kontakt.

    Ndërkohë, kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahum përsëriti kundërshtimin e tij ndaj shtetësisë palestineze gjatë një telefonate me presidentin francez, Emmanuel Macron, i cili kishte deklaruar se Franca synon ta njohë shtetin palestinez më vonë këtë vit.

    Në telefonatën me Macron, Netanyahu tha se krijimi i një shteti palestinez do të ishte “një shpërblim i madh për terrorizmin” dhe do të sillte një entitet të udhëhequr nga militantët vetëm disa kilometra larg nga qytetet izraelite.

    Në një deklaratë të tij të publikuar në X, Macron bëri thirrje për një armëpushim tjetër, lirimin e pengjeve dhe rifillimin e dërgesave të ndihmave humanitare në Gaza, të cilat Izraeli i ka bllokuar për më shumë se një muaj. Ai nuk përmendi njohjen e shtetit palestinez.

    Macron tha javën e kaluar se Franca duhet të synojë të njohë një shtet palestinez deri në qershor, kur do të bashkë-organizojë një konferencë ndërkombëtare me Arabinë Saudite për zbatimin e zgjidhjes me dy shtete.

    Ushtria izraelite ka goditur dhe ka bastisur spitale disa herë gjatë luftës 18-mujore, duke akuzuar militantët e Hamasit për strehim në to ose përdorim të tyre për qëllime ushtarake. Stafi spitalor i ka mohuar akuzat dhe ka akuzuar Izraelin për rrezikim të civilëve dhe shkatërrim të sistemit shëndetësor të Gazës.

    Të dielën, Izraeli goditi spitalin e fundit të madh që ofronte shërbime të rëndësishme shëndetësore në veri të Gazës pas urdhrit për evakuim. Një pacient vdiq gjatë evakuimit, dhe goditja dëmtoi rëndë dhomën e urgjencës, farmacitë dhe ndërtesat përreth, sipas Spitalit Al-Ahli.

    Dioqeza Episkopale e Jeruzalemit, e cila menaxhon spitalin, dënoi sulmin.

    Izraeli tha se kishte shënjestruar një qendër komanduese të Hamasit brenda institucionit, pa ofruar prova. Hamasi mohoi akuzat.

    Lufta filloi kur militantët e udhëhequr nga Hamasi sulmuan Izraelin më 7 tetor të vitit 2023, duke vrarë rreth 1.200 persona, kryesisht civilë, dhe duke marrë peng 251 të tjerë. Dhjetëra pengje janë ende në Gaza, 24 prej të cilëve besohet se janë gjallë, pasi pjesa më e madhe u lirua në marrëveshje armëpushimi ose marrëveshje të tjera.

    Fushata hakmarrëse e Izraelit ka vrarë mbi 51.000 persona, sipas një bilanci të përditësuar nga Ministria e Shëndetësisë së Gazës të martën. Kjo përfshin më shumë se 1.600 persona të vrarë që nga përfundimi i armëpushimit dhe rifillimi i ofensivës muajin e kaluar për të ushtruar presion mbi Hamasin për të pranuar ndryshime në marrëveshje. /REL

    Sunny Hill 2025: Yjet që do ta pushtojnë Prishtinën
    Nga Rubrika
    Bota/Rajoni16 Maj 2025
    Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, dhe presidenti francez, Emanuel Macron, zhvilluan një vizitë te Piramida e Tiranës në mbrëmje, në përmbyllje të...
    Bota/Rajoni16 Maj 2025
    Rusia dhe Ukraina kanë rënë dakord për shkëmbimin e 1000 robërve të luftës nga secila palë, njoftoi ministri ukrainas i Mbrojtjes Rustem...
    Bota/Rajoni16 Maj 2025
    Andrej Hoivik, përfaqësues i Partisë Demokratike Sllovene (SDS) opozitare, është ngjitur sot në kulmin e ndërtesës së parlamentit slloven në Lubjanë. Ai...
    Të tjera
    Lajme16 Maj 2025
    Përfaqësuesit diplomatikë të vendeve të Quint-it – Francës, Gjermanisë, Mbretërisë së Bashkuar, Italisë dhe Shteteve të Bashkuara – si dhe përfaqësues të...
    Lajme16 Maj 2025
    Bashkimi Evropian ka reaguar pas operacioneve të fundit të Policisë së Kosovës, inspektimeve dhe mbylljeve të disa objekteve të shërbimeve publike në...
    Lajme16 Maj 2025
    Presidentja Vjosa Osmani ka mbajtur fjalimin e saj në seancën përmbyllëse të Samitit të Liderëve të Komunitetit Politik Evropian në Tiranë. Ajo...
    Bota/Rajoni16 Maj 2025
    Do të kemi një skuadër bashkërenduese të Komunitetit Politik Evropian nën kujdesin e zyrës së Presidentit të Këshillit Evropian për një seri...
    Sport16 Maj 2025
    Boksierja Donjeta Sadiku ka fituar medaljen e artë në Kupën e Federatës Botërore (World Boxing” Feliks Stamm” që po mbahet në Varshavë...
    Lajme16 Maj 2025
    Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës ka reaguar pasi deputetja nga Lëvizja Vetëvendosje (Guxo), Donika Gërvalla Schwarz ka sulmuar gazetarët dhe mediat, në...
    -->

    FrontOnline, © 2025 Të gjitha të drejtat e rezervuara.