×
  • Bota/Rajoni
  • Bota/Rajoni

    Izraeli e bom’bardon Bejrutin, teksa liderët e tij pritet të vendosin për arm’ëpushim

    FrontOnline
    26 Nëntor 2024

    Avionët luftarakë të Izraelit e goditën një ndërtesë banimi në qendër të Bejrutit të martën, si dhe lëshuan urdhra të rinj për evakuim për 20 ndërtesa në periferitë jugore të kryeqytetit të Libanit.

    Sulmi e bëri ndërtesën rrafsh me tokën në lagjen Basta në qendër të Bejrutit. Ky ishte sulmi i dytë në ditët e fundit në pjesën më të banuar të qytetit.

    Nuk është raportuar për viktima deri më tani.

    Zëdhënësi i ushtrisë izraelite, Avichay Adraee, la të kuptohej se do të ketë më shumë sulme, duke thënë se janë lëshuar urdhra për rreth 20 ndërtesa në periferitë jugore të Bejrutit, si dhe një paralajmërim për qytezën jugore Naqoura, në të cilën ndodhet selia qendrore e misionit paqeruajtës të OKB-së, UNIFIL.

    Sulmi në Bejrut ndodhi pak orë para se kabineti i sigurisë i Izraelit të mblidhej për të votuar një marrëveshje për armëpushim, e cila u ndërmjetësuar nga Shtetet e Bashkuara, dhe ka për qëllim t’i japë fund luftës mbi njëvjeçare mes Izraelit dhe grupit militant libanez, Hezbollah.

    Hezbollahu, i cili e kontrollon Libanin jugor, është shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara, ndërsa Bashkimi Evropian e ka vendosur në listën e zezë krahun e tij të armatosur, por jo edhe partinë e tij politike.

    Ndër çështjet kryesore që kanë penguar marrëveshjen ka qenë kërkesa e Izraelit për ta pasur të drejtën për të vepruar, nëse Hezbollah i shkel detyrimet e tij.

    Sipas propozimit, mijëra trupa libaneze dhe paqeruajtës të OKB-së do të vendoseshin në jug, dhe një panel ndërkombëtar i kryesuar nga Shtetet e Bashkuara do ta mbikëqyrte zbatimin e marrëveshjes nga të gjitha palët.

    Ministri i Mbrojtjes i Izraelit, Israel Katz, tha se ushtria do ta sulmojë Hezbollahun nëse forca paqeruajtëse e OKB-së, e njohur si UNIFIL, nuk ofron “zbatim efektiv” të marrëveshjes.

    “Nëse ju nuk veproni, ne do të veprojmë, dhe me forcë të madhe”, tha ai, duke folur me të dërguarën speciale të OKB-së, Jeanine Hennis-Plasschaert.

    Shefi i diplomacisë i Bashkimit Evropian, Josep Borrell, tha se “nuk ka asnjë justifikim” për Izraelin që të refuzojë zbatimin e një armëpushimi me Hezbollahun, grupin militant dhe partinë politike që kontrollon shumicën e jugut të Libanit.

    Borrell tha se të gjitha shqetësimet e sigurisë të Izraelit janë adresuar në marrëveshjen e ndërmjetësuar nga Shtetet e Bashkuara dhe Franca.

    Konflikti midis Izraelit dhe Hezbollahut shpërtheu një vit më parë kur grupi i mbështetur nga Irani filloi të hidhte raketa në veri të Izraelit në mbështetje të grupit militant palestinez Hamas – i shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian – në fillim të luftës në Gaza.

    Në muajt e fundit, konflikti është përshkallëzuar, pasi Izraeli është duke e bombarduar pareshtur jugun e Libanit, periferitë jugore të Bejrutit dhe Luginën Beka, duke vrarë shumë nga udhëheqësit kryesorë të Hezbollahut dhe duke dërguar trupa tokësore përtej kufirit.

    Nga ana e tij, Hezbollah ka hedhur raketa më thellë brenda Izraelit.

    Operacioni i zgjeruar i Izraelit i ka zhvendosur më shumë se 1.2 milion njerëz, sipas qeverisë libaneze, e cila thotë se më shumë se 3.760 njerëz janë vrarë dhe më shumë se 10.000 janë plagosur gjatë një viti luftimesh.

    Raketat e Hezbollahut kanë vrarë të paktën 50 njerëz në Izrael, më shumë se gjysma e tyre civilë, sipas autoriteteve izraelite./REL

    Nga Rubrika
    Bota/Rajoni11 Janar 2025
    Një 23-vjeçar është plagosur nga thika në Pogradec. Sipas abcnews.al, i riu u përlesh me një person tjetër për motive të dobta,...
    Bota/Rajoni11 Janar 2025
    Këshilltari Special i ShBA-së, Jack Smith, i cili udhëhoqi çështjet federale kundër Donald Trump me akuzat për përpjekje për të përmbysur humbjen...
    Bota/Rajoni11 Janar 2025
    Një aksident automobilistik në verilindje të Gjermanisë ka shkaktuar dy viktima dhe ka lënë katër persona të lënduar rëndë, sipas njoftimeve nga...
    Të tjera
    Lajme11 Janar 2025
    Kandidati për deputet nga radhët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës(AAK), Daut Haradinaj ka njoftuar se sonte ka qëndruar në Drenicë, ku...
    Vip11 Janar 2025
    Sot në fillim të spektaklit të Big Brother VIP Albania, u shfaq një videoklip që përmbledhte momentet më interesante dhe provokuese të...
    Lajme11 Janar 2025
    Kandidati i PDK-së për Kryeministër e ka përfunduar fjalimin e tij, duke u bërë thirrje qytetarëve që ta votojnë PDK-në dhe numrin...
    Vip11 Janar 2025
    Xheneta dhe Driloni kanë pasur një bisedë ku me shaka i kanë hedhur kunja njëri-tjetrit. Ishte Xheneta ajo që e ngacmoi Drilonin...
    Lajme11 Janar 2025
    Kandidati i PDK-së për Kryeministër ka pasur një thirrje edhe për ata që e kanë votuar Vetëvendosjen dhe ndihen të zhgënjyer ose...
    Lajme11 Janar 2025
    Shukri Buja, Halil Çadraku e Sokol Bashota ishin ndër ish pjesëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të cilët për rreth 5 vite...

    FrontOnline, © 2025 Të gjitha të drejtat e rezervuara.