Forcat izraelite arrestuan më shumë se 240 palestinezë, përfshirë dhjetëra nga stafi mjekësor dhe drejtorin e një spitali verior të Gazës që ata bastisën të premten.
Kjo u konfirmua nga Ministria e Shëndetësisë në enklavë, dhe ushtria e Izraelit.
MSh-ja, tha se ishte e shqetësuar për mirëqenien e drejtorit të spitalit Kamal Adwan, Hussam Abu Safiya. Kjo pasi disa persona nga stafi që u liruan të premten vonë, deklaruan se ai ishte rrahur nga ushtarët.
IDF-ja pretendon se spitali po përdorej si qendër komanduese për operacionet ushtarake të Hamasit dhe të arrestuarit ishin militantë të dyshuar.
Ushtria izraelite tutje tha se Abu Safiya u mor për t’u marrë në pyetje pasi dyshohej se ishte një operativ i Hamasit, raporton BBC, transmeton Klankosova.tv.
Të premten, Hamasi hodhi poshtë si gënjeshtra pohimin e Izraelit se luftëtarët e tij kishin operuar nga spitali gjatë luftës 15-mujore të Gazës , duke thënë se asnjë luftëtar nuk ishte në spital. Grupi nuk kishte komentuar ende për 240 arrestimet.
Bastisja në spital, një nga tre objektet mjekësore në skajin verior të Gazës, e vuri jashtë shërbimit objektin e fundit të madh shëndetësor në veri të Gazës, tha Organizata Botërore e Shëndetësisë.
“Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) është e shokuar nga sulmi i djeshëm. Shkatërrimi sistematik i sistemit shëndetësor dhe rrethimi prej mbi 80 ditësh në Veriun e Gazës rrezikon jetën e 75,000 palestinezëve që kanë mbetur në këtë zonë”, shkroi ajo në X.