Autoritetet bullgare njoftuan të mërkurën se do t’i mbyllë shkollat, restorantet, qendrat tregtare dhe sallat e fitnesit deri më 21 dhjetor për shkak të rritjes së numrit të infeksioneve të Coronavirusit.
Masat e reja, të cilat do të hyjnë në fuqi nga e premtja në mbrëmje, janë marrë me qëllim të lehtësimit të trysnisë në sistemin shëndetësor nga numri i madh i pacientëve në shtetin me shtatë milionë banorë.
“Vetëm një gjë është dëshmuar se ka ndikim ndaj COVID-19 – pakësimi i kontakteve sociale ose karantina. Për ta lehtësuar trysninë në spitale që janë buzë bllokimit, ne do të vendosim masa për tri javë”, tha kryeministri bullgar, Boyko Borisov.
Njësoj si një pjesë e madhe e Evropës Lindore, Bullgaria e menaxhoi relativisht mirë valën e parë të pandemisë në pranverë, por rastet janë shtuar shumë në vjeshtë, shkruan Reuters, transmeton Gazeta Express.
Të mërkurën, Bullgaria regjistroi 4.382 raste të reja të infeksioneve dhe numri i përgjithshëm i të infektuarve shkoi në 129 mijë e 348.
Shumë spitale kanë mbetur me staf të zvogëluar për shkak të infektimit të mjekëve dhe infermierëve, duke e vështirësuar punën për përkujdesje ndaj pacientëve.