Gjykata Themelore e Prishtinës, ua ka vazhduar edhe për dy muaj, Naim Murselit, Granit Plavës dhe Kushtrim Kokallës, të cilët dyshohen për vrasjen e Liridona Ademajt.
Zëdhënësja e Gjykatës Themelore, Mirlinda Gashi e ka konfirmuar rastin për Front Online.
”Masa e paraburgimit të pandehurve iu llogaritet prej datës 29.02.2024 deri më datë 28.04.2024″, tha shkurt Gashi.
Më 29 nëntor 2023, ka ndodhur kjo ngjarje ku Naim Murseli, dyshohet se ka urdhëruar vrasjen e gruas së tij Liridona Ademaj.
Sipas prokurorisë, derisa Naim Murseli me bashkëshorten dhe dy fëmijët ishin në makinën e tyre, papritmas del para veturës i dyshuari Granit Plava me masë në kokë dhe revole në dorë ku sipas marrëveshjes paraprake i pandehuri Naim Murseli me fëmijë ka dalë nga vetura dhe është larguar nga vendi i ngjarjes kinse për të ikur ndërsa në veturë ka mbetur tani e ndjera Liridona Murseli.
Ajo nuk kishte arritur të dalë nga vetura, pasi dyshohet se ishte qëlluar në pjesën e qafës më një plumb, duke mbetur e vdekur në vend.
Në deklaratën e tij në polici, Naim Murseli ishte shprehur se kishin pasur probleme martesore dhe që e kishin pamundësuar vazhdimësinë e lidhjes së tyre, mirëpo sipas tij ai nuk ka qenë i informuar që Plava do e kryente vrasjen atë ditë.