Kombëtarja e Italisë e ka regjistruar edhe fitoren e dytë në Grupin A në Kampionatin Evropian të futbollit “Euro2020”.
Italianët mposhtën Përfaqësuesen e Zvicrës në “Olimpico” të Romës me rezultat bindës 3-0.
Dy golat e pare për të besuarit e përzgjedhësit, Roberto Mancini u realizuan nga mesfushori 23-vjeçar, Manuel Locatelli.
Lojtari i Sassuolos hapi llogarinë në minutën e 26-të të takimit, pas një super-aksioni të ndërtuar.
Po rrjedhte minuta e shtatë e pjesës së dytë kur i njëjti futbollist realizoi një super-gol nga distanca duke e lënë pa gjasa “gardianin” helvetik, Sommer.
Kurse krejt në fund të takimit, gjegjësisht në minutën e fundit të kohës së rregullt, Immobile “fundosi” Zvicrën.
Vlen të theksohet se nga minuta e parë në fushë për Zvicrën ishin edhe dy futbollistët me prejardhje shqiptare, Granit Xhaka dhe Xherdan Shaqiri.
Ky i fundit u zëvendësua 14 minuta para fundit, ndërkohë Xhaka ishte i plotë.
Italia me këto tre pikë është në vendin e parë me 6 të tillë, ndërkohë në vendin e dytë është Uellsi që ka 4 pikë.
Zvicra është e treta në grup me vetëm një pikë, ndërsa Turqia tashmë është përshëndetur nga “Euro2020”.