Italia ka regjistruar 16.079 raste të reja me koronavirus në 24 orët e fundit, ka njoftuar Ministria e Shëndetësisë, që është shifra më e lartë që nga fillimi i pandemisë, raporton Reuters.
Shifra e ka kaluar rekordin që u vendos të mërkurën, kur u regjistruan 15.199 raste të reja me Coronavirus.
Po ashtu Ministria e Shëndetësisë e Italisë ka njoftuar se janë regjistruar 136 të vdekur si pasojë e COVID-19 në 24 orët e fundit, që është rritje për dallim nga 127 sa vdiqën një ditë më parë. Mirëpo shifrat janë dukshëm më të ulëta sesa kur ishte kulmi i pandemisë në Itali në mars e prill, kur ishin regjistruar më tepër se 900 të vdekur në ditë.
Në total Italia ka regjistruar 36.968 raste me fatalitet si pasojë e COVID-19, si dhe 465.729 të infektuar.
Në Francë ndërkohë po ashtu janë duke vazhduar të rriten shifrat. Si pasojë kryeministri i Francës, Jean Castex, ka thënë se Qeveria do të shtrijë orën policore në më tepër rajone. Qytetarëve u ndalohet dalja nga ora 21:00 deri në ora 06:00.