Qeveria italiane ka vendosur masa më të rrepta kundër përhapjes së koronavirusit në pesë rajone në përpjekje për ta mbajtur situatën nën kontroll, ndonëse ende nuk ka vendosur izolim mbarëkombëtar.
Dy rajone ishin më herët në këtë nivel të masave, ndërsa tani shtatë nga gjithsej 20 rajonet e Italisë janë në zonën e portokalltë, që shënon rrezik nga mesatar në të lartë. Kjo masë u mor përmes një dekreti të nënshkruar nga Ministri i Shëndetësisë, Roberto Speranza.
Kështu, rajonet Abruzzo, Basilicata, Liguria, Tuskania dhe Umbria u bashkohen Sicilisë dhe Pulias në mbylljen e bareve dhe restoranteve, ndërsa banorët e tyre tash nuk do të kenë të drejtë të udhëtojnë në rajone tjera.
Ndryshe, katër rajone tjera, tri prej të cilave shtrihen në veriun me popullsi të dendur, ndodhen në zonën e kuqe, ku shumica e dyqaneve dhe restoranteve janë mbyllur, ndërsa lëvizja e banorëve është e kufizuar.
Qeveria e Kryeministrit Giuseppe Conte po përpiqet që ta shmangë përsëritjen e skenarit të pranverës, kur i tërë vendi ishte izoluar, për shkak të dëmit ekonomik që do t’i shkaktohej vendit. Italia ishte shteti i parë evropian që ishte goditur rëndë nga pandemia në valën e parë.
Qasja me masa kufizuese në bazë të rajoneve u prezantua të premten e kaluar, bashkë me masën mbarëkombëtare për orë policore prej orës 22 deri në 5 të mëngjesit për 60 milionë banorët e këtij shteti.