×
  • Lajme
  • Sport
  • Lajme

    Ismet Krasniqi: Medalet Olimpike, dëshmi e përkushtimit të sportistëve tanë

    FrontOnline
    05 Janar 2025

    Si çdo vit tjetër, 2024 ka shënuar një periudhë të suksesshme për Komitetin Olimpik të Kosovës (KOK), si dhe për sportin në përgjithësi në vendin tonë. Ky vit ka sjellë një sërë arritjesh të rëndësishme, duke përfshirë medaljet e fituara në Lojërat Olimpike Paris 2024, një ngjarje që ka pasur një domethënie të veçantë për sportistët tanë dhe për të gjithë komunitetin sportiv kosovar.

    Një nga arritjet më të mëdha të sportistëve tanë në këtë vit ishte performanca e shkëlqyer e xhudisteve, Distria Krasniqi dhe Laura Fazliu, të cilat fituan medalje olimpike në Lojërat Olimpike Paris 2024 dhe vendi i 5-të me xhudistin, Akil Gjakova.

    Distria Krasniqi arriti të fitojë medaljen e argjendtë, ndërsa Laura Fazliu u nderua me medaljen e bronztë. Kjo ka qenë një arritje historike për sportin e Kosovës dhe një moment krenarie për të gjithë shqiptarët.

    Kryetari i Komitetit Olimpik të Kosovës, Ismet Krasniqi, në një rrëfim për “Front Online” u shpreh i emocionuar dhe krenar për këto rezultate, duke theksuar se, “Medalet olimpike të Distria Krasniqit dhe Laura Fazliut janë një dëshmi e angazhimit të sportistëve tanë dhe e mbështetjes që ne si Komitet Olimpik ofrojmë për ta.

    Krasniqi thotë se përveç medaljeve olimpike, një tjetër sukses i madh ishte arritja e vendit të pestë nga xhudisti Akil Gjakova, i cili vazhdon të tregojë shkëlqim në konkurrencën ndërkombëtare.

    “Suksesi më i madh i sportistëve ishin medaljet olimpike në Paris 2024, si dhe vendi i 5-të me xhudistin, Akil Gjakova. Padyshim që sportistët shënuan suksese edhe në garat tjera ndërkombëtare. Veçojmë medaljen e artë të Distria Krasniqit në Evropian, dhe kualifikimin historik të Kombëtares së Hendbollit U-17 për vajza në Kampionatin Botëror në Kinë. Po ashtu, sukses i madh është edhe tek vajzat e Kombëtares së Karatesë, të cilat u renditën në vendin e pestë në Kampionatin Botëror të mbajtur në Pamplona të Spanjës. Suksese kishte edhe tek sportet tjera, sidomos tek grupmoshat e reja” ka thënë ai.

    Përveç garave olimpike, Krasniqi potencon se Komiteti Olimpik i Kosovës ka pasur edhe aktivitete të tjera ndërkombëtare që janë vlerësuar lartë.

    Një nga momentet kulmore ishte vizita e Presidentit të Komitetit Olimpik Ndërkombëtar, Thomas Bach, i cili qëndroi në Kosovë për të shënuar 10-vjetorin e njohjes së KOK-ut nga IOC.

    Gjatë vizitës së tij, Bach e theksoi rëndësinë e Kosovës në skenën ndërkombëtare të sportit.

    “Vizita e Thomas Bach në Kosovë ishte një moment i rëndësishëm për ne, dhe dëshmi e angazhimit të IOC për zhvillimin e sporteve dhe mbështetje për KOK-un dhe sportistët tanë”, tha Krasniqi.

    Një tjetër ngjarje e rëndësishme ishte organizimi i Platformës Evropiane të Sportit 2024, ku përfaqësues të rreth 30 shteteve evropiane diskutuan mbi zhvillimin e sporteve në kontinentin e vjetër.

    “Si KOK, organizuam edhe Platformën Evropiane të Sportit 2024, ku mirëpritëm përfaqësues të rreth 30 shteteve të Evropës. Si KOK kemi marrë pjesë edhe në Lojërat Olimpike Dimërore për të rinj, ku vendi ynë u përfaqësua në Kore të Jugut”, tregoi Krasniqi.

    Lojërat mesdhetare dhe aktivitetet e KOK-ut

    Një tjetër projekt i rëndësishëm për Komitetin Olimpik të Kosovës është organizimi i Lojërave Mesdhetare Prishtina 2030. Ky projekt ka marrë një mbështetje të fuqishme nga Qeveria e Kosovës dhe Komuna e Prishtinës, dhe për momentin, është miratuar Ligji për Lojërat Mesdhetare, një hap kyç për realizimin e këtij projekti të madh.

    Krasniqi ka treguar për “Front Online” punën e deritanishme për organizimin e Lojërave Mesdhetare se në cilën fazë është ky projekt.

    “Momentalisht jemi në fazën kur është miratuar Ligji për Lojërat Mesdhetare Prishtina 2030, dhe hyrja në fuqi e tij lehtëson procedurat e mëtutjeshme të kryerjes së punëve të shumta që na presin. Për këtë duhet përgëzuar Qeverinë e Kosovës, Komunën e Prishtinës dhe hisedarët tjerë, përfshirë ICMG-në për arritjet e pajtueshmërisë për miratimin e këtij Ligji, ku ne si KOK kemi luajtur rol të rëndësishëm në arritjen e marrëveshjeve. Tani mbetet që në fillim të vitit të ardhshëm të themelojmë Komitetin Organizativ të Lojërave Mesdhetare”, ka thënë ai.

    Krasniqi, nga Komiteti Olimpik i Kosovës, për “Front Online” ka folur lidhur me objektivat e KOK-it, se a janë arritur gjatë vitit 2024.

    Ai potencoi se janë tejkaluar objektivat që ka pasur Komiteti Olimpik për vitin që po lamë pas.

    Në vitin 2024, Kosova arriti rezultate të jashtëzakonshme në Paris, duke fituar dy medalje, duke tejkaluar objektivat e vendosur.

    “Sigurisht që janë arritur, madje edhe tejkaluar. Në Paris 2024, kemi udhëtuar për të fituar të paktën një medalje dhe fituam dy, ndërsa aktivitetet e shumta në promovimin e vlerave olimpike përmbushën synimet tona. Ajo që vlen të veçohet është edhe fillimi për herë të parë i programit “Trajner Sportiv”, program ky i Akademisë Olimpike dhe i akredituar nga Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit”, u shpreh ai për Front Online.

    Suksese të reja dhe pritshmëri për 2025 në Komitetin Olimpik të Kosovës

    Kryetari i Komitetit Olimpik të Kosovës, Ismet Krasniqi ka treguar për “Front Online” se çka e pretë Kosovës sa i përket lojërave olimpike.

    Garat do ti nisin të rinjtë e EYOF-it dimëror dhe pastaj veror, thotë Krasniqi.

    “Fillimisht na pret Asambleja Zgjedhore e KOK-ut, pastaj ceremonia e Laureatëve 2024, si dhe aktivitete të shumta vendore e ndërkombëtare. Gjatë verës do të jemi në garat e të rinjve, konkretisht EYOF-in Dimëror dhe pastaj Veror”.

    Krasniqi pret të jetë viti 2025 i arritjeve në futboll dhe hendboll. “Nga sportet, konkretisht futbolli e hendbolli presim të jetë vit i arritjeve historike. Futbolli është garë për kalim në Ligën B, pastaj me garat kualifikuese për Botëror, ndërsa hendbolli pret të shkruaj historinë me kualifikim tek seniorët”. / Front Online /

     

     

     

     

     

     

     

     

     

     

     

     

     

     

     

     

     

     

     

     

     

    Nga Rubrika
    Kronika07 Janar 2025
    Para pak minutash ka ndodhur një aksident mes disa veturave në Veternik, më saktësisht tek “Gizzi Grill”, raporton “Front Online”. Aktualisht në...
    Lajme07 Janar 2025
    Shërbimi Korrektues i Kosovës ka njoftuar se sot në Klinikën Infektive në QKUK ka vdekur një i burgosur me inicialet A.M. Në...
    Lajme06 Janar 2025
    Sipas raporteve fillestare, shpërthimi që ndodhi në lagjen Bazhdarhane të Prizrenit natën festive të ndërrimit të moteve, ka shkaktuar dëme të konsiderueshme....
    Të tjera
    Lajme06 Janar 2025
    Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Driton Selmanaj, ka reaguar ashpër në Facebook kundër veprimeve të kryeministrit Albin Kurti, duke e...
    Vip06 Janar 2025
    Banori i shtëpisë më të madhe në vend, Gjesti po ndihet i rrezikuar nga nominimi kokë më kokë me Drilonin. Në oborr,...
    Lajme06 Janar 2025
    Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Avdullah Hoti, ka thënë se me projektin e termocentralit të gazit amerikan do të punësoheshin...
    Lajme06 Janar 2025
    Për të martën parashikohet mot me vranësira të shpeshta dhe intervale me diell. Gjatë ditës priten kohë pas kohe reshje të izoluara...
    Vip06 Janar 2025
    Banorët e shtëpisë më të famshme në vend, Big Brother VIP Kosova 3, kanë reaguar në mënyra të ndryshme kur kuptuan se...
    Vip06 Janar 2025
    Debat i ashpër është zhvilluar këtë Prime mes banorit të shtëpisë më të madhe në vend, Xuxit dhe opinionistit Milaim Zeka. Krejt...

    FrontOnline, © 2025 Të gjitha të drejtat e rezervuara.