Ndaj 45 personave të dyshuar për sulmin terrorist në Banjskë të Zveçanit është ngritur sot aktakuzë nga Prokuroria Speciale.
Lidhur me këtë aktakuzë është deklaruar për Front Online ish-zv/ministri i Brendshëm, Valdet Hoxha.
Hoxha nuk e vlerëson si të vonshme aktakuzën, duke thënë se është në afate të përcaktuara penale.
Tutje, ai theksoi se aktakuza më mirë të jetë e qëndrueshme sesa e rrëzuar nga Gjykata.
Hoxha pret që të gjeturat në rastin Banjska të argumentohen në shqyrtim ligjor për t’i hapur rrugën Gjykatës.
“Më mirë një aktakuzë e qëndrueshme se sa një aktakuzë e cila do të rrëzohej në Gjykatë. Kjo aktakuzë është brenda afateve të përcaktuara sipas kodit të procedurës penale. Ka pasur sfida dhe pengesa procedurale ashtu siç tha edhe prokurori e kryeprokurori i rastit, s’ka asgjë për t’u shqetësuar. Shpresojmë që të gjeturat të argumentohen edhe në shqyrtimin ligjor që do të kaloj në Gjykatë”, u shpreh Hoxha për Front Online.
Grupi terrorist i udhëhequr nga Millan Radojiçiq sulmoi Policinë e Kosovës më 24 shtator 2023, ku vrau heroin Afrim Bunjaku.