Ish-zëvendësministri i Arsimit dhe njohësi i arsimit, Xhavit Rexhaj, për FrontOnline, ka dhënë një analizë të hollësishme mbi rënien e numrit të studentëve në disa drejtime akademike në Universitetin e Prishtinës. Sipas tij, ka disa faktorë kryesorë që po ndikojnë në këtë fenomen, duke përfshirë ndryshimet demografike, emigrimin dhe papërshtatshmërinë e ofertës akademike me kërkesat e tregut të punës.
Rexhaj shpjegoi se shkaku kryesor i rënies së numrit të studentëve në Universitetin e Prishtinës dhe në Institucionet e arsimit të lartë në Kosovë është rënia e shtimit demografik. Shtimi i popullsisë ka rënë ndjeshëm në Kosovë, duke kaluar nga 30 lindje për 1000 persona në vetëm 10 promil, sipas të dhënave më të fundit të regjistrimit të popullsisë. Kjo ka ndikuar drejtpërdrejt në uljen e numrit të studentëve që regjistrohen në universitetet e vendit.
“Shkaku kryesor i rënies së numrit te studenteve ne institucionet e arsimit te larte ne Kosove – jo vetëm në disa drejtime dhe jo vetëm ne UP – është ne trendët e përgjithshme demografike. Në ketë kuptim dihet se prej rreth 30 promileve (30 lindje për 1000 persona) shtimi demografik ne Kosove tashme ka rene nen 10 promil’’, deklaroi Rexhaj.
Një tjetër faktor i rëndësishëm është emigrimi i qytetarëve kosovarë, veçanërisht drejt vendeve perëndimore, për arsye pune, shëndetësore dhe mundësish më të mira edukimi. Ky fenomen ka sjellë një humbje të mëtejshme të potencialit të studentëve që mund të regjistroheshin në universitet, duke i shtyrë ata të kërkojnë mundësi të tjera jashtë vendit.
“Shkaku i dytë është emigrimi kryesisht ne vendet perëndimore për punësim, jetë, shëndetësi dhe për edukim më të mirë’’, tha Rexhaj.
Një element tjetër, sipas Rexhajt, është ngopja e kërkesës për arsimin e lartë nga individët që nuk kishin mundësi edukimi gjatë periudhës së vështirë të viteve të 90-ta në Kosovë. Ky grup ka përfunduar tashmë arsimimin dhe ka plotësuar kërkesat për kualifikime profesionale, duke kontribuar gjithashtu në uljen e numrit të studentëve të rinj.
Rexhaj sugjeroi disa masa për të rritur interesin për drejtime që po përjetojnë rënie të numrit të regjistrimeve
Ai përmendi përvojat e suksesshme në disa institucione private dhe në disa programe të Universitetit të Prishtinës, si Fakulteti i Inxhinierisë Elektrike dhe Psikologjia, të cilat kanë pasur një kërkesë të mirë nga studentët dhe janë të lidhura me mundësi punësimi.
Po ashtu, Rexhaj theksoi rëndësinë e procedurave të akreditimit dhe monitorimit të cilësisë nga Agjencia e Akreditimit të Kosovës, si dhe mundësitë e partneritetit dhe mobilitetit ndërkombëtar, si programet Erasmus Plus dhe Horizon, që mund të ofrojnë mundësi më të mira për studentët./FrontOnline/
Universitetet Publike në krizë, të rinjtë kërkojnë dije në Kolegjet Private