Neuropsikiatri Ferid Agani, i cili ka qenë edhe ministër i Shëndetësisë, në një intervistë për Front Online, ka thënë se situata me virusin Covid-19 mund të dal jashtë kontrollit, e të mendohen masa më ekstreme për të kontrolluar pandeminë.
Agani e ka parë si pozitive rritjen e numrit të testimeve për Covid-19.
Ai ka thënë për Front Online se numri i testimeve është dashur të rritet edhe mëherët dhe se në mënyrë që të kemi situatën në kontroll, duhet të kryhen deri në 1 mijë e 500 testime në dit.
“Jemi duke shkuar nga ngritja e numrit të testimeve, për të gjithë ata që kanë nevojë. Kjo është një domosdoshmëri e kohës. Është dashur të ndodh shumë mëherët por realiteti ynë e ka pamundësuar një gjë të tillë, por është mirë se po shkohet në atë drejtim. Ditët e fundit numri i testimeve është rritur ka mbërritur edhe në 1 mijë në ditë”, ka thënë ai.
Ai ka thënë se punëtorët shëndetësorë bashkë me ministrin e Shëndetësisë, Armend Zemaj, janë mobilizuar për ta menaxhuar gjendjen me pandemisë.
“Mendoj se i gjithë sistemi shëndetësorë në krye me ministrin Zemaj është i mobilizuar maksimalisht që t’i përgjigjet sfidave të kohës. E dimë se jemi duke u ballafaquar me njërën prej pandemive më të mëdha të shekullit të fundit dhe është duke u bërë maksimumi që brenda resurseve që i ka Kosova t’i përgjigjemi kësaj sfide”, ka thënë ai.
https://www.youtube.com/watch?v=s758cxl2g6s&t=2s