Tre muaj janë bërë që është bllokuar Fondi i Kursimeve Pensionale të Kosovës pasi nga muaji mars ky institucion është pa bord.
Gjatë kësaj kohe janë hapur dy konkurse.
Ditë më parë për moszgjedhjen e bordit të Trustit ka reaguar edhe ministri i Financave, Hekuran Murati i cili ka deklaruar se emërimi i anëtarëve të bordit është në proces.
Haki Shatri: Mosemërimi i bordit dëm shumë i madh për Trustin, Qeveria nuk po brengoset për ekonominë e qytetarit
Krejt fajin për këtë situatë, ish-ministri i Financave, Haki Shatri e ka hedhur tek Qeveria dhe MF-ja.
Shatri tha për Front Online se Trusti ka mbetur ‘pa zot shpije’.
Ai tha se Qeveria nuk po brengosët për ekonominë e qytetarit, por po bënë politika sa për të dalë në televizor.
Tutje, ish ministri tha se mos emërimi i anëtarëve të bordit, shkakton dëme të mëdha në ekonomi.
“Shtëpia pa zot shpije është situata e Trustit. Këta që e kanë pasur për obligim me i përfunduar procedurat për bord nuk po brengosën as për ekonominë e qytetarit as për asgjë, janë duke i bërë do politika vetëm për t’u komentuar në televizione, askush hairin nuk po ja sheh kësaj Qeverie e ministrie. Dëmi është shumë i madh për Trustin edhe papërgjegjësia e atyre personave që janë aty është e papërshkrueshme”, u shpreh Shatri.
Ferat Shala për mos emërimin e bordit të Trustit: Rezultati i politikave keqmenaxhuese e kanë sjellë Trustin në këtë ditë
Kritika për mos emërimin e anëtarëve të bordit të Trustit Pensional drejtuar Qeverisë, ka shprehur edhe kryetari i Komisionit për Ekonomi, Ferat Shala.
Shala tha për Front Online se rezultati i politikave keqmenaxhuese e kanë sjellur Trustin në këtë ditë.
“Është një periudhë e gjatë kohore që Trusti është pa bord si rezultat i politikave keqmenaxhuese të qeverisë dhe ministrisë të financave në raport me përzgjedhjen e bordit e kanë pru Trustin në këtë ditë”, tha Shala.
Deputeti i PDK-së thotë se shkalla e rrezikut për sistemin financiar është shumë e lartë.
“Mbetja e Trustit pa bord ka rezultuar me situatë të rëndë dhe në rrezik për të gjitha investimet që janë brenda dhe jashtë vendit kjo situatë, rezulton që ka pasiguri dhe devalvim të madh të parasë për shkak të shkallës së lartë të inflacionit krejt këto janë në dëm të vendit dhe gjithë sektorin financiar, shkalla e rrezikut për sistemin financiar është shumë e lartë”, u shpreh Shala për Front Online.
Ish-kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti ka reaguar ne lidhje me këtë çështje.
Hoti tha se Trusti Pensional nuk ka bord nga data 1 mars i këtij viti. E pasojat e mungesës së Bordit, ai thotë se janë të mëdha për qytetarët e vendit.
“Trusti Pensional nuk ka Bord nga data 1 mars 2023 dhe si rezultat: (1) nuk ka kush të marrë vendim për tërheqje të investimeve nga tregjet dhe instrumentet financiare, në të cilat ka rënie, dhe (2) kursimet e mbledhura nga Trusti nga 1 mars 2023 e këndej nuk do të mund të investohen në tregje financiare. Ministri i Financave, Auditori i Përgjithshëm dhe Guvernatori i BQK-së kanë përgjegjësi për këtë situatë”, ka shkruar Hoti në Facebook, derisa shtoi se këta të tre do duhej të propozonin me kohë anëtarët e bordit për votim në kuvend”, potencoi Hoti.
Mandati i anëtarëve të Bordit të Trustit Pensional ka mbaruar më 30.11.2022, por ishte zgjatur edhe për tre muaj.