
Ish-ministri i Ekonomisë, Haki Shatri, në një prononcim për FrontOnline ka vlerësuar se rritja e çmimeve në vend nuk është një dukuri e përkohshme, por një proces që ka vazhduar prej vitesh dhe po ndikon drejtpërdrejt në përkeqësimin e standardit të jetesës së qytetarëve.
Sipas tij, çmimet nuk janë rritur vetëm në muajin e fundit, por gjatë gjithë vitit, me ritme relativisht të larta, sidomos nga muaji maj e këndej, fillimisht në nivelin 4–5 për qind dhe tashmë mbi 5 për qind.
Ai ka theksuar se ky trend ka nisur që nga viti 2020 dhe ka vazhduar edhe në vitet 2021 e tutje, me rritje të shpejta dhe të vazhdueshme.
‘’ Jo vetëm në muajin e fundit por edhe në muajin paraprak gjatë krejt vitit rritja e çmimeve ka vazhduar me ritme relativisht të larta sidomos prej muajit maj e këtej 4-5% tani mbi 5% . Nuk është rritja veç gjatë këtij viti po rritje ka pasur prej vitit 2020, 2021 e këtej kanë pësuar rritje rapide e dinamike’’, tha ish-ministri Shatri për FrontOnline.
Shatri ka thënë se problemi kryesor qëndron te fakti se pagat, pensionet dhe kompensimet nuk kanë ndjekur të njëjtin ritëm me rritjen e çmimeve, çka ka ndikuar në uljen e fuqisë blerëse dhe varfërimin e popullsisë. Sipas tij, shumica e qytetarëve shpenzojnë pothuajse të gjithë të ardhurat mujore për artikujt bazë të shportës, pasi pagat nuk mjaftojnë për shpenzime të tjera.
‘’ Në anën tjetër pagat pensionet e kompensimet nuk janë rritur janë me të njëjtën dinamike, kjo ka ndikuar që të bjerë standardi e të varfërohet popullsia. Çmimet e artikujve të shportës për të cilët shumica e banorëve komplet pagën e harxhon janë rritur sepse pagat e këtij vendit nuk mjaftojnë për gjëra të tjera vëtëm për produkte shporte’’, ka thënë Shatri.
Ish ministri Shatri ka vlerësuar se situata aktuale e bën popullsinë më të varfër sesa në vitin 2020, gjatë periudhës së pandemisë. Rritja e çmimeve, sipas Shatrit, po i godet më së shumti shtresat e mesme dhe të varfra, shërbyesit civilë dhe punëtorët e sektorit privat, duke prekur rreth 300 mijë familje.
‘’ Rritja e këtyre produkteve është rritur dhe kjo tregon se banorët e këtij vendi brenda këtij viti janë më të varfër sesa kanë qenë ne vitin 2020 sa ka qenë pandemia. Kjo rritje i godet shtresat e mesme e të varfra, shërbyesit civil, sektorin privat e të tjera këta njerëz diku 300,00 familje e paga që merren në muaj’’, tha Shatri.
Në këtë kontekst, Shatri ka përmendur edhe shtrenjtimin e energjisë elektrike, duke thënë se rritja e çmimit të rrymës ka rënduar ndjeshëm buxhetet familjare dhe ka ndikuar në rritjen e kostos së produkteve vendore, të cilat në disa raste janë bërë më të shtrenjta se produktet e importuara.
‘’Pastaj është shtrenjtuar edhe rryma krahasuar me vitin e kaluar dhe kjo ka ndikuar në rritjen edhe të produkteve vendore që janë bërë n ë disa raste më të shtrenjta disa ato të importuara’’, tha Shatri.
Në fund, ai ka vlerësuar se përgjegjësia për këtë situatë bie mbi Qeverinë, e cila, sipas tij, nuk ka ndërmarrë masa të mjaftueshme për nxitjen e prodhimit vendor dhe frenimin e rritjes së çmimeve, duke e lënë barrën kryesore mbi qytetarët.
‘’Kjo është shkaktuar nga mungesa e dinamikave të mira nga ana e qeverise , kjo qeveri nuk ka vepru asgjë ne favor te nxitjes se prodhimtarisë vendore te frenimit të çmimeve’’, përfundoi Shatri.
Njohësit ngrenë alarmin: Shtrenjtimi i jetesës po del jashtë kontrollit