Të gjithë qytetarët e Kosovës të cilët shpenzojnë më shumë se 800 kWh, nga sot do të paguajnë tarifa më të shtrenjta të energjisë.
Kjo, pasi që Zyra e Rregullatorit të Energjisë Elektrike (ZRrE), ka vendosur që të ketë shtrenjtim të energjisë elektrike, shkruan FrontOnline.
Sipas vendimit të ZRRE-së energjia elektrike nuk do të shtrenjtohet për konsumatorët që i shpenzojnë deri në 800 kilovat orë, ndërsa ata konsumatorë që shpenzojnë mbi 800 kilovat do të paguajnë 12.5 cent për kilovat për tarifën e lartë dhe 5.9 cent për tarifën e ulët, apo një rritje prej rreth 100%.
Kurse, për bizneset është vendosur që të mos ketë shtrenjtim.
Çeku: Rritja e çmimit të energjisë prek direkt shportën e qytetarëve
Ish-ministri i energjetikës dhe minierave, Ethem Çeku, ka deklaruar për FrontOnline se vendimi sotëm i ZRrE-së, do të lë gjurmë në familjet kosovare.
Sipas tij, problemi me energji elektrike nuk zgjidhet duke i rritur çmimet.
“Kjo është rritje e cila len gjurmë në familjet tona. Nuk është ndonjë rritje që nuk e prek shportën e qytetarëve tonë, pavarësisht që është rritur për 12 cent tek atje 800 kWh, prapë ajo 12 centi është ngritje jo e vogël për ekonominë tonë familjare. Prandaj, këta janë hapa të cilët nuk e zgjedhin problemin e energjisë. E kam theksuar me dhjetëra herë edhe t’i shtrenjtojnë sado çmimet, edhe të bëjnë subvencionime të vazhdueshme sektori i energjisë në Kosovë kërkon masa të thella dhe veprime shumë më të avancuara se sa këto ngritjet e çmimeve”, është shprehur Çeku për FrontOnline.
Ndërsa, thotë se do të ketë pakënaqësi të qytetarëve lidhur me këtë çështje.
“Normalisht shtrenjtimi i energjisë elektrike do të ndikojë keq tek qytetari, sepse shpenzuesit e energjisë elektrike do të kenë ngritje të tarifave dhe do të ketë edhe pakënaqësi të qytetarëve për ngritjen e këtyre tarifave, por këto alternativa, ky koncept nuk ka me zgjedh problemin e energjisë, edhe me rrit edhe pesë fish nuk e zgjedh problemin e energjisë. Këto janë politika të gabuara që po merren këto momente, duke ngrit çmimet e duke bërë subvencione, këto janë zgjidhje të përkohshme”, ka thënë ai.
Njohësi i ekonomisë: Ngritja e çmimit të energjisë, e papërballueshme për qytetarin
Edhe njohësi i ekonomisë, Musa Limani ka thënë se ngritja e çmimeve do të ndikojë në buxhetin familjar.
Sipas tij, kjo rritje do të prekë më shumë familjet që kanë të ardhura të ulëta.
“Prandaj, sido që të jetë, çfarë do rritje që të jetë edhe te energjia elektrike, edhe kjo që pritet nafta të jetë deri në 2 euro ndikojnë shumë në buxhetin familjar, buxhetin e konsumatorit dhe mund të them se në këto kushte kur dihet që edhe pagat janë të ulëta papunësia është shumë e madhe atëherë është e papërballueshme për qytetarin e Kosovës çfarëdo rritje që të jetë, e jo këto që janë me të vërtetë rritje enorme”, ka thënë Limani, për FrontOnline.
Kundër vendimit të Zyrës së Rregullatorit të Energjisë për shtrenjtim të rrymës janë shprehur edhe partitë opozitare.
Lidhja Demokratike e Kosovës ka filluar mbledhjen e 40 nënshkrimeve për thirrje të seancës së jashtëzakonshme, për të kundërshtuar vendimin e ZRrE-së.
Përgjigje të njëjtë ndaj këtij vendimi ZRrE-ja ka marrë edhe nga PDK-ja dhe AAK-ja.
Kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj ka thënë se aktivitetet e tyre siç ka thënë ai ndaj vendimit skandaloz nuk do të ndalen, kurse shefi i grupit parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri deklaroi se vendimi i sotëm i ZRrE-së për shtrenjtimin e energjisë elektrike po e bën edhe më të papërballueshme jetesën në Kosovë, dhe do të ndikoj në rritjen e numrit të qytetarëve që duan të largohen nga vendi si pasojë e gjendjes së rëndë ekonomike./FrontOnline