Deklaratat e presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, i cili tha se me Kosovën mund të shpërthejë një konflikt i ngrirë, si në rajonin mes Azerbajxhanit dhe Armenisë, sollën reagime nga politikanët në Kosovë, të cilët e konsideruan si “thirrje për luftë”.
Ish – komandanti i FSK-së, gjeneral-lejtënant Kadri Kastrati, këtë deklaratë të presidentit serb, e sheh më shumë si “populiste”, pasi sipas tij, në realitet nuk ka ndonjë rrezik potencial për Kosovën.
“Ne e kemi NATO-n dhe po t’i shpallë luftë Kosovës, atëherë Serbia i ka shpallur luftë direkt NATO-s. Nuk shoh ndonjë rrezik për territorin apo kufijtë e Republikës”.
Kastrati në Info Magazine në Klan Kosova, thotë që Serbia sipas tij, nuk është e interesuar që të reflektojë dhe të punojë që të ketë një fqinjësi të mirë
“Përkundrazi, Serbia e konsideron veten si një faktor shumë të fuqishëm në rajon dhe një “polic” që ajo do të duhej që të kontrollonte rajonin”.