
Ish-guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës (BQK), Fehmi Mehmeti në një prononcim për “Front Online” ka reaguar ndaj rritjes së tarifave bankare për disa shërbime bazike, duke paralajmëruar se këto vendime po krijojnë barrë për qytetarët dhe bizneset.
“Rritja deri në 100% e tarifave bankare për shërbime bazike përbën një barrë të drejtpërdrejtë për qytetarët dhe bizneset, veçanërisht në një kohë kur kostoja e jetesës është rritur ndjeshëm. Këto nuk janë shërbime luksi, por nevoja themelore për funksionimin financiar të përditshëm”, tha Mehmeti.
Ai tha se situata bëhet edhe më shqetësuese për faktin se këto rritje kanë ndodhur vetëm pak muaj pasi bankat kanë raportuar fitime rekorde.
“Fakti që këto rritje kanë ndodhur pak muaj pasi bankat kanë realizuar fitime rekorde e bën situatën edhe më problematike dhe cenon besimin publik në sistemin bankar. Bankat kanë përgjegjësi jo vetëm ndaj aksionarëve, por edhe ndaj klientëve dhe stabilitetit afatgjatë të tregut financiar”, u shpreh ai.
Mehmeti ka kritikuar rolin e BQK-së, duke thënë se reagimi i saj deri më tani ka qenë i pamjaftueshëm.
“Roli i BQK është thelbësor dhe, fatkeqësisht, reagimi i saj deri tani ka qenë i pamjaftueshëm. BQK nuk mund të kufizohet vetëm në pranimin e ankesave, pasi ka mandat ligjor për mbrojtjen e konsumatorit dhe sigurimin e konkurrencës së ndershme”, deklaroi Mehmeti.
Sipas tij, BQK duhej të kishte kërkuar analiza të detajuara të kostove, transparencë të plotë nga bankat.
“BQK duhej të kishte kërkuar analiza të detajuara të kostove, transparencë të plotë nga bankat dhe, nëse do të ishte e nevojshme, të përdorte instrumente rregullative për të parandaluar rritje disproporcionale. Mbrojtja e konsumatorit financiar nuk është funksion dytësor, por një detyrim thelbësor institucional”, thotë Mehmeti për “Front Online”.