Ish-gjyqtari, Nehat Idrizi, dje ka shpallur kandidaturën për President të Kosovës. Idrizi ka kërkuar mbështetje edhe nga partitë në vend për këtë pozitë. Por, a i ka kthyer përgjigje ndonjëra?
Në një përgjigje për Gazetën Express, ai thotë se ende s’ka pranuar ndonjë përgjigje nga partië për letrën që e nisi dje.
Por, thotë se ka kontakt me disa prej deputetëve, derisa shpreson se do ta ketë përkrahjen e shumicës.
“Përgjigje ende nuk kam marrë për arsye se letra dje pasdite është dërgu. Kemi kontakte me disa deputetë të partive të ndryshme dhe po shpresojmë se do ta kemi përkrahjen e shumicës së partive”, ka thënë Idrizi për Express.
Ndryshe, Idrizi i ka njoftuar dje të gjitha subjektet politike për kandidaturën e tij, prej të cilave ka kërkuar edhe mbështetje.
“Dëshiroj t’ju informoj për kandidaturën time për President të Republikës së Kosovës. Si një kandidat apolitik, kërkoj mbështetjen tuaj dhe të subjektit tuaj politik për kandidaturën time.
Unë besoj thellë që Kosovës i duhet një President apolitik dhe konsensual. Unë ju garantoj që do të punojmë së bashku për të arritur objektivat shtetërore”, thuhet në letrën e Idrizit drejtuar partive.
Idrizi ka qenë gjykatës, profesor dhe Kryesues i Këshillit Gjyqësor të Kosovës.
Përveç Idrizit, synime për pozitën e Presidentit ka edhe Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj. Ai ka paralajmëruar edhe zgjedhje të reja nëse ai nuk bëhet Shef i Shtetit.
Ndryshe, Hashim Thaçi ka dhënë dorëheqje nga pozita e presidentit më 5 nëntor, pas konfirmimit të aktakuzës nga Gjykata Speciale. Këtë pozitë aktualisht e ushtron kryeparlamentarja Vjosa Osmani.
Ajo mund ta mbajë këtë pozitë vetëm gjashtë muaj pasi kështu e përcakton Kushtetuta. Gjatë kësaj kohe duhet të votohet Presidenti ri. Në të kundërtën vendi shkon në zgjedhje. Ndërsa, se kush do të mbetet në krye të Shtetit pas kësaj periudhë duhet kërkuar interpretim te Gjykatës Kushtetuese.
Kushtetuta e Kosovës e saktëson se si zgjidhet presidenti i shtetit. Sipas Nenit 86, presidenti zgjidhet në Kuvend të Kosovës, me votim të fshehtë.
Në këtë pozitë mund të nominohet si kandidat, ai apo ajo që siguron nënshkrimet e të paktën 30 deputetëve të Kuvendit, derisa saktësohet se deputetët e Kuvendit mund të nënshkruajnë vetëm për një kandidat për president.
Zgjedhja e kreut të shtetit bëhet me dy të tretat e votave të të gjithë deputetëve.
“Nëse asnjëri kandidat nuk merr shumicën prej dy të tretave (2/3) në dy votimet e para, organizohet votimi i tretë në mes të dy kandidatëve të cilët kanë marrë numrin më të lartë të votave në votimin e dytë dhe kandidati që merr shumicën e votave të të gjithë deputetëve, zgjidhet President i Republikës së Kosovës. Nëse në votimin e tretë, asnjëri kandidat nuk zgjidhet President i Republikës së Kosovës, shpërndahet Kuvendi dhe shpallen zgjedhjet e reja, të cilat duhet të mbahen brenda dyzet e pesë (45) ditësh”, saktësohet në Kushtetutë, në nenin që flet për zgjedhjen e presidentit.