Ish-deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Driton Çaushi i cili po akuzohet për përdorim të mjetit të rrezikshëm si dhe pengim i personit zyrtar gjatë kryerjes së detyrave zyrtare, është deklaruar i pafajshëm në shqyrtimin fillestar të së mërkurës.
Ai po akuzohet nga prokuroria se më 10 gusht 2016, gjatë mbledhjes në seancën e Kuvendit të Kosovës, kishte hedhur gazin lotsjellës, si dhe kishte penguar personat zyrtar, përkatësisht kryetarin dhe deputetët e Kuvendit të Kosovës, në kryerjen e detyrave zyrtare, me ç’rast të gjithë personat zyrtarë ishin detyruar ta ndërpresin mbledhjen dhe të largohen nga salla.
Pas leximit të aktakuzës nga prokurori Besart Mustafa, i akuzuari Çaushi ka thënë se nuk ndihet fajtor për veprat penale që i ngarkohen, raporton “Betimi për Drejtësi”.
“Unë qëndroj prapa asaj që kam deklaruar edhe në prokurori, e pranoj kryerjen e veprave mirëpo, një fajësi të veprimeve jo. Unë nuk muj me mohu aktin mirëpo nuk ndihem fajtor për veprimet”, tha ai.
Meqenëse i akuzuari nuk e ka pranuar fajësinë, gjykatësja Lumnije Krasniqi e ka udhëzuar të njëjtin që brenda afatit prej 30 ditësh të paraqes kundërshtimin e provave si dhe kërkesën për hudhje të aktakuzës.
Prokuroria Themelore në Prishtinë më 27 mars 2018 ka ngritur aktakuzë ndaj Driton Çaushit sepse ka përdorur armën në kundërshtimin me ligjin e zbatueshëm për armë, ashtu që më 10 gusht 2016, gjatë mbajtjes së mbledhjes në sallën e Kuvendit të Republikës së Kosovës, ku ka qenë pjesëmarrës i akuzuari, në cilësinë e deputetit të Lëvizjes së VV, ka hedhur gazin lotsjellës në këtë sallë me çka ka rënë ndesh me nenin 9.1 të Rregullores nr.04/12 për Armëmbajtje në Republikën e Kosovës, ku ndalohet përdorimi i armëve.
Me këto veprime prokuroria e ngarkon atë me veprën penale “përdorim i armës apo mjetit të rrezikshëm”, nga neni 375 par.1 të KPPK-së.
Prokuroria gjithashtu e ngarkon Çaushin edhe me veprën penale “pengimi i personit zyrtar gjatë kryerjes së detyrave zyrtare”, nga neni 409 par.1 të KPRK-së.
Sipas aktakuzës, i akuzuari Çaushi në vendin dhe kohën e lartcekur, gjatë përdorimit të gazit lotsjellës ka penguar personat zyrtar- dëshmitarin Kadri Veseli, në cilësinë e kryetarit të Kuvendit të Kosovës dhe dëshmitarët- deputetët Adem Grabovci, Ismet Beqiri, Sabri Hamiti etj, në kryerjen e detyrave zyrtare, me ç’rast të gjithë personat zyrtarë janë detyruar ta ndërpresin mbledhjen dhe të largohen nga salla.