Tri shtatore të tjera shumë shpejt do të zënë vend në sheshin “Fehmi Lladrovci” në Drenas. Në mes të sheshit kanë filluar punimet për bazamentin e tri shtatoreve të heronjve të pavdekshëm, Shaban Jashari, Hamëz Jashari dhe komandantit legjendar, Adem Jashari.
Kryetari i Komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci ka bërë të ditur se mbi këtë bazament, do të vendosen shtatoret e tre heronjve, më 28 Nëntor.
Punimet për bazamentin e tri shtatoreve
“Sheshi kryesor i Drenasit, tashmë ka heronjtë e heroinën Xhevë Krasniqi- Lladrovci, Fehmi Lladrovci, Ilaz Kodra, Rasim Kiçina dhe Bedri Shala. Këto shtatore, përjetësohen duke qenë zemra e lirisë, mesazh ndër shekuj se si fitohet liria, këtu ku buron liria jonë”, ka thënë Lladrovci.
Por dikush nga opozita nuk po pajtohet me mënyrën se si po vendosen shtatoret në Drenas.
Kryetari i Nismës Socialdemokrate në Drenas, Isa Xhemajlaj ka thënë se vendosja e shtatores së Komandantit Legjendar Adem Jashari në një shesh që tani më mban emrin e një Heroit nuk është i veprim i qëlluar.
“Në sheshin “Fehmi Lladrovci” në Drenas po pritet që të vendoset edhe Shtatorja e Komandantit Legjendar Adem Jashari. Emërtimi dhe vendosja e Shtatores së Heroit të Kombit “Fehmi Lladrovci” në sheshin e Drenasit ishte vendim i duhur dhe vlerësim për kontributin që dha për lirinë e Kosovës deri në rënien e tij heroike. Por vendosja e shtatores së Komandantit Legjendar Adem Jashari në një shesh që tani më mban emrin e një Heroit nuk është i veprim i qëlluar”, ka thënë Xhemajlaj. raporton indeksonline.
Sipas tij, nëse vërtetë Drenasi do ta nderojë figurën e Komandantit dhe Familjen Jashari duhet ta bëjë një shesh tjetër që do mbante emrin Sheshi “Adem Jashari”.
Shtatorja e Adem Jasharit
“Kam dilemat e mia se pas vendosjes së shtatoreve të Jasharëve dhe Komandantit Adem Jashari si do të quhet ky Shesh: “Sheshi Fehmi Lladrovci”, “Sheshi Adem Jashari”, “Sheshi i Heronjëve”, ka thënë Xhemajlaj.