Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa ka reaguar ndaj ofendimit të mbrëmshëm që avokati Tomë Gashi i ka bërë anëtares së LDK’së, Melihate Termkolli.
Përmes një postimi në llogarinë e tij në Facebook, Mustafa ka thënë se ofendimet që iu bënë Tërmkollit nga avokati Tomë Gashi janë të papranueshme, jo vetëm për LDK-në, por për çdo mendje civilizuese në Kosovë.
Mustafa e ka quajtur Gashin edhe të paedukatë.
“Pengesat që mbrëmë iu bënë në një emision televiziv znj Melihate Termkolli, anëtare e Këshillit të Përgjithshëm të LDK-së, që ta shpreh mendimin e saj dhe ofendimet që pasuan ndaj saj nga avokati Tomë Gashi janë të papranueshme, jo vetëm për LDK-në por për çdo mendje civilizuese në Kosovë”, ka shkruar Mustafa.
Postimi i tij i plotë:
Lidhja Demokratike e Kosovës është treguar gjithëherë e hapur për pjesëmarrje në debate për tema të ndryshme. Njerëzit e LDK-së shpesh janë penguar të thonë mendimin e tyre, nga përfaqësues të disa subjekteve politike por edhe nga disa individ që merren si analistë politik, mirë të paguar dhe të instruktuar nga mediume të ndryshme.
Pengesat që mbrëmë iu bënë në një emision televiziv znj Melihate Termkolli, anëtare e Këshillit të Përgjithshëm të LDK-së, që ta shpreh mendimin e saj dhe ofendimet që pasuan ndaj saj nga avokati Tomë Gashi janë të papranueshme, jo vetëm për LDK-në por për çdo mendje civilizuese në Kosovë.
Mediat kanë pë obligim të mos krijojnë hapësirë për ofendime dhe skandale nga njerëz që nuk rreshtin të tregohen vullgarë dhe të shpërfaqen pa fije edukate dhe me mungesë të plotë përgjegjësie para opinionit publik. IM