Lidhur me kandidaturën zyrtare të Anton Qunit, Lumir Abdixhikut dhe Lutfi Hazirit, Mustafa tha se është shumë e rëndësishme se kush do të zgjidhet në krye të partisë.
“Vlerësoj se është shumë e rëndësishme kush do të jetë në krye të LDK-së. Por mbi të gjitha është uniteti dhe fryma fundamentale e LDK-së, demokracia e brendshme dhe solidariteti partiak. Janë këto vlera që e dallojnë LDK-në nga partitë e tjera”, tha Mustafa për Periskopin.
Më tutje, kryetari në dorëheqje i LDK-së tha se “asnjë frymë e as parti e konjukturave nuk e zëvendëson një parti shtetformuese, siç është LDK”
“Kosova ka nevojë për një parti shtetformuese, si LDK-ja. Prandaj LDK do të rikthehet fuqishëm. Asnjë frymë e as parti e konjukturave nuk e zëvendëson një parti shtetformuese, siç eshte LDK. Popullizmi nuk mund të jetë substitut i shtetformimit”, tha Mustafa.
Kujtojmë se pas rezultatit të dobët të Lidhjes Demokratike të Kosovës në zgjedhjet e 14 shkurtit,
Isa Mustafa dha dorëheqje nga posti i kryetarit të partisë.
Deri sot, kandidaturat zyrtare për ta udhëhequr LDK-në janë: Anton Quni, Lumir Abdixhiku dhe Lutfi Haziri.
Ndërkohë janë paralajmëruar edhe kandidatura të tjera në ditët në vijim.