Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa ka folur për zgjedhjen e kryetarit të ri të kësaj partie, katër ditë para mbajtjes së Kuvendit Zgjedhor.
Ndërsa, lidhur më kandidaturat tashmë të konfirmuara të Anton Qunit, Lutfi Hazirit e Lumir Abdixhikut, Mustafa për Front Online ka thënë se është e rëndësishme se kush do të zgjidhet në krye të partisë.
“Vlerësoj se është shumë e rëndësishme kush do të jetë në krye të LDK-së. Por mbi të gjitha është uniteti dhe fryma fundamentale e LDK-së, demokracia e brendshme dhe solidariteti partiak. Janë këto vlera që e dallojnë LDK-në nga partitë e tjera”, ka deklaruar Mustafa për Front Online.
Por, pavarësisht rezultatit zgjedhor Mustafa ka pohuar se Kosova ka nevojë për një parti shtetformuese si është LDK-ja.
“Kosova ka nevojë për një parti shtetformuese, si LDK-ja. Prandaj LDK do të rikthehet fuqishëm. Asnjë frymë e as parti e konjukturave nuk e zëvendëson një parti shtetformuese, siç është LDK. Popullizmi nuk mund të jetë substitut i shtetformimit”, tha Mustafa.
Kryetari në dorëheqje i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Mustafa, ka thënë se partia do të rikthehet fuqishëm, pasi që sipas tij Kosova ka nevojë për një parti shtetformuese si LDK-ja.
Isa Mustafa, ka dhënë dorëheqje një ditë pas shpalljes së rezultateve të zgjedhjeve të 14 shkurtit, pas humbjes së thellë të LDK-së.
Deri sot, kandidaturat zyrtare për ta udhëhequr LDK-në janë: Anton Quni, Lumir Abdixhiku dhe Lutfi Haziri.
Ndërkohë janë paralajmëruar edhe kandidatura të tjera në ditët në vijim./Front Online/