Lumir Abdixhiku që nga sot do të jetë drejtuesi i partisë politike, Lidhja Demokratike e Kosovës.
Pas kësaj, ish-kryetari i LDK-së, Isa Mustafa tha se tashmë e ka uruar Lumir Abdixhikun për fitoren e kësaj gare, derisa tha se procesi zgjedhor ishte shembullor.
L
“Ka qenë një proces shembullor. Garë shumë korrekte dhe përfundim demokratik”, tha Mustafa.
Tutje ai theksoi se Abdixhiku sot fitoi besimin e shumicës në Kuvendin e LDK-së.
“I kam uruar suksese kryetarit Abdixhiku, i cili sot e fitoi besimin e shumicës së Kuvendit të LDK-së”, shtoi Mustafa për lajmi.net.
Lidhja Demokratike e Kosovës zhvilloi sot një proces mjaftë të rregullt të zgjedhjeve të brendshme partiake, nga të cilat doli se Abdixhiku mori shumicën e votave duke lënë prapa kundër-kandidatët e tij, Lutfi Haziri me 116 vota dhe Besian Mustafa me vetëm 16 vota.
Disa nga delegatët e pranishëm në këtë proces zgjedhor zgjodhën që të abstenojnë, kështu duke mos votuar për asnjërin nga këta tre emra.
Pas përfundimit të votimit dhe numërimit të votave Lumir Abdixhiku u urua thuajse nga të gjithë të pranishmit, derisa Lutfi Haziri dhe Besian Mustafa u deklaruan se do të përkrahin Abdixhikun në çdo moment që LDK të ecën përpara.
Pas rezultatit të dobët të LDK-së në zgjedhjet e 14 shkurtit, Isa Mustafa mori vendim që të largohet nga drejtimi i partisë, për t’i dhënë kështu një frymë të re drejtuese këtij subjekti politik.
Para fillimit të procesit zgjedhor të brendshëm sot në LDK, Isa Mustafa edhe zyrtarisht deklaroi se jep dorëheqje të parevokueshme nga drejtimi i partisë.
Lumir Abdixhiku zyrtarisht është kryetari i katër me radhë në LDK, pas presidentit historik, Ibrahim Rugova, ish-kryetarit Fatmir Sejdiu dhe ish-kryetari Isa Mustafës, i cili së fundi u largua nga drejtimi i partisë.