Irani njoftoi të hënën se e ka dhjetëfishuar nivelin e pasurimit të uraniumit pas një vargu të hapave për shkeljen e marrëveshjes bërthamore me fuqitë botërore, e cila ishte arritur në vitin 2015.
Autoritetet iraniane gjithashtu njoftuan se agjencia bërthamore i ka ndërtuar centrifuga të reja të avancuara, njëra prej të cilave është duke u testuar.
Kryetari i Organizatës për Energji Bërthamore, Ali Akbar Salehi, tha se prodhimi i uraniumit të pasuruar ka shkuar në pesë kilogramë në ditë.
Kjo sasi ishte vetëm 450 gramë në ditë para dy muajsh, kur Irani vendosi t’i shkelë disa nga zotimet e arritura me marrëveshjen bërthamore të vitit 2015 me Shtetet e Bashkuara dhe fuqitë e tjera botërore.
Vendimi i Iranit për ta kaluar kufirin e pasurimit të uraniumit erdhi pas tërheqjes së Shteteve të Bashkuara nga e njëjta marrëveshje. Fuqitë Evropiane, sidomos Franca, janë përpjekur që ta bindin Iranin që të mos largohet plotësisht nga marrëveshja, duke i premtuar lehtësime tregtare dhe mbrojtje nga sanksionet amerikane.
Në anën tjetër, presidenti amerikan, Donald Trump, ka thënë se marrëveshja e tanishme me Iranin nuk është e mjaftueshme për ta parandaluar republikën islamike nga prodhimi i armëve bërthamore dhe se për këtë çështje duhet të ketë bisedime për marrëveshje të re, shkruan “France24”./Front Online/