Pjesëtari i Njësisë së Reagimit të Shpejtë në stacionin policor “Qendra” në Prishtinë H.K, është arrestuar mbrëmë për së dyti herë.
Në një video të publikuar në rrjete sociale, polici shfaqet duke keqtrajtuar një 18-vjeçar në 2018.
Keqtrajtimi i të riut është bërë në praninë e zyrtarëve tjerë policorë.
Ndërsa, sot Inspektorati Policor i Kosovës ka bërë të ditur se kanë dhënë rekomandimin për suspendimin e tre zyrtarëve tjerë policorë që janë përfshirë në keqtrajtimin e tij.
“Inspektorati Policor i Kosovës ka dhënë rekomandimin për suspendim të këtyre tre zyrtarëve policorë përderisa hetuesit e IPK-së në koordinim me prokurorin kompetent do të ndërmarrin edhe veprime tjera hetimore ditëve në vijim për të sqaruar rrethanat e këtij rasti”, thuhet për media.