Trajneri i Interit, Simone Inzaghi, u intervistua sot nga Prokurorët si pjesë e një hetimi të gjerë mbi ultrasit e Interit.
Siç raportohet nga La Gazzetta dello Sport, trajneri pati takimin e tij me autoritetet sot dhe u trajtua si dëshmitar me informacion të vlefshëm, kështu që ai vetë nuk është nën hetim.
Kjo ndodhi për shkak të një përgjimi që tregonte se lideri i ultrasve të arrestuar të Curva Nord të Interit, Marco Ferdico, kishte telefonuar Inzaghin për të kërkuar 200 bileta shtesë për finalen e Champions League 2023 kundër Manchester Cityt.
Ferdico ishte një nga 19 ultras të arrestuar në operacionin anti-mafia muajin e kaluar.
Inzaghi u thirr si dëshmitar për çështjen e ultrasve të Interit.
Sky Sport Italia dhe agjencia e lajmeve Ansa raportojnë se Inzaghi iu përgjigj të gjitha pyetjeve që iu bënë, në një takim që u përshkrua si ‘i gjatë, i qetë dhe gjithëpërfshirës.’
Trajneri siguroi se telefonata e Ferdicos ishte më shumë një ‘kërkesë sesa një kërcënim’ dhe nuk ishte e pazakontë.
Motivi i tij ishte të shmangte që Curva të hynte sërish në grevë, pasi kishte pasur protesta të mëparshme.
Ndër ata që pritet të flasin me Prokurorët gjatë javëve në vijim janë zëvendëspresidenti i Interit Javier Zanetti, kapiteni i Milanit Davide Calabria dhe mesfushori i Interit Hakan Calhanoglu.