“Fotografia është mënyrë për të ndjerë, prekur, dashuruar. Atë që e shkrep në film, është aty përgjithmonë… Kujton gjërat e vogla, shumë kohë pasi ti harron çdo gjë”. Kështu ka thënë fotografi i njohur amerikan, Aaron Siskind, që u ka kushtuar rëndësi detajeve për të krijuar imazhe të reja të pavarura nga subjekti origjinal – atë që legjenda e artit të fotografisë, Alfred Stieglitz, e ka quajtur realitet delikat që bëhet me real se realja.
Mjeshtri i fotografisë, Fahredin Spahija, e ka krijuar një realitet të tillë – origjinal si gjithmonë. Një ide e një vepër përtej idesë, që lë hapësirë për secilin për të interpretuar realitetin e tij. Sepse, i tillë është roli i artit: të të bëjë të reflektosh e pasqyrosh. Të të shtyjë të mendosh e të kesh guxim të shprehesh.
Video-arti që i dedikohet muzikës “Intermezzo” të Agron Shala, të finalizuar tash së voni në studion e Muhamet Veselit – Muhës, është një vepër e rrallë, jo vetëm në hapësirat shqiptare. E realizuar pa asnjë filtër apo efekt digjital, është një film i shkurtër artistik që do ta shihni ndryshe secilën herë. Mund të jetë një dokumentar, një animacion, një rrëfim që mund ta ndërtojë secili sipas asaj që ndjen. “Intermezzo” flet për dashurinë, për vetminë, për luftën me tjetrin/tjetrën, për luftën me vetveten… Për veten dhe për të tjerët… Një intermezzo e jetës tonë.
Ky bashkëpunim mes Fahredin Spahisë, Muhës dhe Agron Shalës është një tjetër rrëfim: një pasion e sakrificë e përbashkët për artin, pa asnjë interes tjetër. Aq më pak material. Një rrëfim i guximit për të krijuar e luftuar për të mbetur artist e njeri.
Vepra “Intermezzo” do të jetë pjesë e projektit të madh muzikor të Agron Shalës, “Bardhezi”, bashkëpunëtorë tjerë të të cilit janë: Xhevdet Bajraj, Valon Gashi, Ilir Veseli, Besa Llugiqi, Shkelzen Veseli, Kapllan Nikçi, Vjollca Llugiqi, Nick Montopoli, Sam Davidson…