Instituti i Historisë “Ali Hadri”, në Prishtinë ka reaguar pas konfirmimit të aktakuzave ndaj drejtuesve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe të tjerëve nga Gjykata Speciale, duke thënë se gjenocidi i formës së organizuar kalohet në heshtje, ndërsa gjykohen ata që u detyruan të organizonin vetëmbrojtjen kolektive të popullit të tyre në përpjekje sublime për liri.
Sipas institutit të historisë, lufta çlirimtare në Kosovë ishte e imponueshme, e domosdoshme dhe e drejtë, ngaqë ishte e drejtuar kundër një pushtuesi, i cili përpiqej me zjarr dhe hekur të kryente spastrimin e përgjakshëm etnik të Kosovës.
“Çlirimtarët që sot po gjykohen në Hagë, kontribuuan përtej çdo pritjeje në rrethanat më të vështira të kohës, forcuan besimin dhe unitetin, duke vitalizuar dhe rritur Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, ngritën në këmbë një armatë çlirimtarësh, duke qenë kështu për ne, shenja e shenjtë e kujtesës sonë historike. Ata i dhanë popullit shqiptar, besimin se mund të bëhet luftë çlirimtare kur ke zemër, kur ke të drejtë, kur je i gatshëm të sakrifikosh, kur je në gjendje të dëshmosh të drejtën tënde dhe ta nxjerrësh pa maskë pushtuesin e huaj, ndërsa botës i dha mesazhin se shqiptarët nuk mund të qëndronin edhe më tej të shtypur e të maltretuar, në mbyllje të shekullit XX. Ata binden botën për drejtësinë e luftës së tyre dhe ndërgjegjësuan faktorin ushtarak ndërkombëtar për të mbështetur këtë të drejtë deri në çlirimin e vendit”, thuhet në reagim.
Ky është reagimi i plotë i Institutit të Historisë “Ali Hadri”, në Prishtinë.
Lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ishte e domosdoshme dhe e drejtë
Me konfirmimin e aktakuzave nga Gjykata Speciale me seli në Hagë, kundër disa ish – drejtuesve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës: z. Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi, Rexhep Selimi e të tjerë, po ndodhë trajtimi i padrejtë i luftës çlirimtare ekskluzivisht kundër organizimit më të suksesshëm ushtarak të fundshekullit XX, që luftoi për lirinë e një populli të shtypur e të robëruar evropian. Ndërsa, në anën tjetër, paralelisht me këtë po ndodhë trajtimi preferencial i Serbisë, e cila ka qenë agresore dhe ka zbatuar me forcat e saj, gjenocid ideor-teorik dhe praktik ndaj popullit shqiptar. Nga operacionet e forcave ushtarake, policore serbe, në vitin 1998/1999 janë djegur, rrënuar deri në themel mbi 50% të shtëpive për banim dhe mbi dyfish ishin dëmtuar, duke i lënë të pastrehë mbi gjysmë milioni njerëz. Për më tepër, forcat serbe dogjën trashëgiminë kulturore, plaçkitën gjësende me vlerë, ndërmarrje të rëndësishme ekonomike etj. Krejt këto kanë koston e vet, paharruar për asnjë moment vrasjet e mijëra qytetarëve të pambrojtur, jeta e të cilëve nuk kompensohet me asgjë.
Sot, është një situatë kur agresori dhe viktima janë vënë padrejtësisht në pozita të barabarta. Gjenocidi i formës së organizuar kalohet në heshtje, ndërsa gjykohen ata që u detyruan të organizonin vetëmbrojtjen kolektive të popullit të tyre në përpjekje sublime për liri. Lufta çlirimtare në Kosovë ishte e imponueshme, e domosdoshme dhe e drejtë, ngaqë ishte e drejtuar kundër një pushtuesi, i cili përpiqej me zjarr dhe hekur të kryente spastrimin e përgjakshëm etnik të Kosovës. Lufta e UÇK-së u zhvillua në përputhje me vlerat themelore të lirisë së popullit shqiptar dhe me të gjitha parimet fondamentale të lirisë dhe ekzistencës njerëzore të çdo populli. Ushtria Çlirimtare e Kosovës, si faktor ushtarak e politik ka ndërtuar historinë e saj me gjithë pastërtinë dhe organizimin ushtarak të betejave e përballjeve që zhvilloi.
Personalitetet e UÇK-së që sot janë të ulur në bankën e të akuzuarave: z. Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi, Rexhep Selimi etj., me bashkëluftëtarët e tyre vunë jetën në shërbim të mbrojtjes së identitetit dhe krenarisë kombëtare, që me guximin dhe vizionin e tyre u bënë kreatorë të ideve dhe veprimeve për themelimin dhe shtrirjen e luftës çlirimtare. Lufta e popullit shqiptar nën udhëheqjen e tyre, është një kurorëzim shekullor i përpjekjeve të popullit të Kosovës për liri në trojet e veta, duke i dhënë fund edhe maltretimeve, dhunimeve, burgosjeve, vrasjeve dhe gjenocidit të forcave pushtuese serbe mbi popullin shqiptar në Kosovë. Po ashtu, lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, përfundimisht hapi mundësinë e zgjidhjes së statusit politik e juridik të Kosovës. Në këtë drejtim, çlirimtarët që sot po gjykohen në Hagë, kontribuuan përtej çdo pritjeje në rrethanat më të vështira të kohës, forcuan besimin dhe unitetin, duke vitalizuar dhe rritur Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, ngritën në këmbë një armatë çlirimtarësh, duke qenë kështu për ne, shenja e shenjtë e kujtesës sonë historike. Ata i dhanë popullit shqiptar, besimin se mund të bëhet luftë çlirimtare kur ke zemër, kur ke të drejtë, kur je i gatshëm të sakrifikosh, kur je në gjendje të dëshmosh të drejtën tënde dhe ta nxjerrësh pa maskë pushtuesin e huaj, ndërsa botës i dha mesazhin se shqiptarët nuk mund të qëndronin edhe më tej të shtypur e të maltretuar, në mbyllje të shekullit XX. Ata binden botën për drejtësinë e luftës së tyre dhe ndërgjegjësuan faktorin ushtarak ndërkombëtar për të mbështetur këtë të drejtë deri në çlirimin e vendit. Thënia e filozofit të madh gjerman Hegel, se: “Liria e një populli merr kuptimin e vërtetë, vetëm kur njeriu tregon se është i gatshëm të vdes për të”, vërtetësia e kësaj thënie profetike është vulosur me rastin e luftës së këtyre çlirimtarëve që sot padrejtësisht po akuzohen nga Tribunali i Hagës.
Lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ishte e mbështetur në mendjet e mëdha ideore të kohës. Thënia: “Mendjet e mëdha diskutojnë idetë, mendjet mesatare diskutojnë ngjarjet, mendjet e vogëla diskutojnë njerëzit”, që është një thënie e cila zakonisht i atribuohet Ellenor Roosvelt (gruaja e presidentit Franklin D. Rousvelt), por, sot, nga ana historike ky manifest ka shumë rëndësi dhe aktualitet e mund të thuhet se, përbënë diskursin kryesor politik dhe vendimmarrës të atyre luftëtarëve të djeshëm dhe të akuzuarve të sotëm, që krahas luftës njohën historinë e filozofisë politike të diplomacisë ndërkombëtare, duke e trasuar vijën e drejtë kombëtare. Si e tillë, lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës është ngjarje e rëndësishme historike, jo vetëm për popullin shqiptar, por me peshë dhe ndikim në marrëdhëniet ballkanike, evropiane dhe botërore. Ajo kishte si pikë reference çlirimin kombëtar, u bë gjenerues i problemeve të tilla që ndikuan thellësisht në diplomacinë preventive të SHBA-së e fuqive evropiane.
UÇK dhe lufta e saj u trajtuan pozitivisht në kancelaritë diplomatike të Evropës Perëndimore dhe të SHBA-së, përpjekjet, roli dhe forca e saj u vlerësuan edhe në teren, kurse lufta e saj e drejtë dhe gjenocidi ushtarak serb i kryer kundër popullit shqiptar, bëri që krah saj të rreshtohet edhe aleanca më e madhe ushtarake e kohës – NATO, krahas opinionit publik ndërkombëtar. Në këtë sfond, përpjekjet e shqiptarëve për liri gjetën mirëkuptimin dhe mbështetjen politike e ushtarake të opinionit ndërkombëtar, në veçanti të atij euro-atlantik.
Duke e mbrojtur të kaluarën, gjithnjë në bazë të vërtetës së argumenteve historike e juridike, ne mbrojmë të sotmen dhe të ardhmen e popullit tonë. E drejta e luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës nënkupton edhe mbrojtjen e legjitimitetit të ndërhyrjes ushtarake të NATO-s në Kosovë, mbrojtjen e legjitimitetit të shpalljes së Pavarësisë së Kosovës, procese këto që u karakterizuan nga një investim enorm i Perëndimit në Kosovë në aspektin ekonomik, financiar, social e moral, drejt ndërtimit të një shteti dhe një shoqërie demokratike në Ballkan, por edhe sakrificë fizike, shpirtërore e morale e shumë e shumë brezave në Kosovë. Çdo përpjekje për njollosjen e padrejtë të luftës çlirimtare do të mund të ringjallte synimet e qarqeve të caktuara antishqiptare për destabilizimin e Kosovës dhe të rajonit në përgjithësi. Sulmi dhe mohimi ndaj të së kaluarës është dëmtim i të sotmes, por edhe i së ardhmes së një populli apo një shoqërie. /FrontOnline/