Instituti për Studime në Edukim “EdGuard” i ka pritur me shqetësim të gjeturat mbi arsimin në Kosovë të Raportit Komisionit Evropian të vitit 2020. Në Raportin e Progresit theksohet se Kosova është në fazë të hershme të përgatitjes për arsim dhe cilësia e arsimit vazhdon të mbetet e dobët.
Sipas këtij instituti, për dallim nga viti 2019, kur në Raport shënohej një progres i kufizuar në arsim, këtë vit Komisioni Evropian konkludon se nuk ka pasur asnjë progres në këtë fushë. Po ashtu, Raporti i Progresit vë në pah se përkundër performancës së dobët të sistemit arsimor, Qeveria e Kosovës nuk ka jetësuar asnjë reformë në arsim.
“Për shkak të mos adresimit të rekomandimeve nga viti i kaluar, Komisioni Evropian ripërsërit të njëjtat rekomandime, duke nënvizuar, ndër të tjera, zhvillimin e mekanizmave për sigurim të cilësisë në arsim, rritjen e ofrimit të arsimit dhe aftësimit profesional dhe përmbushjen e rekomandimeve të ENQA-s”, thuhet në raport.
“Instituti ‘EdGuard’ kërkon nga institucionet e Kosovës adresimin e rekomandimeve të Komisionit Evropian si pikënisje për përmirësim të cilësisë në të gjitha nivelet e sistemit arsimor. ‘EdGuard’ vlerëson se rritja e buxhetit për Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës duhet të jetë prioritet për Qeverinë e Kosovës. ‘EdGuard’ e sheh të nevojshëm një koordinim gjithë institucional për zbatim të reformave të menjëhershme dhe gjithëpërfshirëse në arsim”, thuhet në reagimin e Institutit “EdGuard”.