Subjektet politike të komuniteteve jo shumicë në Kosovë kanë 20 ulëse në Kuvendin e Kosovës, të cilat janë të garantuara me Kushtetutë. Dhjetë janë të garantuara për përfaqësuesit e komunitetit serb në Kosovë, raporton Front Online.
Ndërkaq, dhjetë ulëse të tjera janë të garantuara për komunitetet jo serbe. Prej tyre, tri ulëse i takojnë komunitetin boshnjak, dy ulëse për komunitetin turk, për përfaqësuesit e komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptian nga një ulëse, si dhe një ulëse shtesë për njërën nga këto bashkësi, e cila fiton më së shumti vota. Një ulëse i takon komunitetit goran.
Por për vendet e rezervuara për komunitetin boshnjak ka pasur akuza nga Kryetarja e Partisë së Re Demokratike nga Prizreni, Emilia Rexhepi dhe nga Duda Balje, tjetër listë nga ky komunitet për siç kanë thënë një “marrëveshje të fshehtë” ndërmjet koalicionit “Vakat”, të udhëhequr nga Rasim Demiri, Adrijana Hoxhiq nga iniciativa qytetare “Komunitetet e Bashkuara”, me “Listën Serbe”.
Në një prononcim për Front Online, Adrijana Hoxhiq, nga iniciativa “Komunitetet e Bashkuara”, tha se këto akuza janë të pa baza nga ata që i kanë humbur zgjedhjet, dhe se përkrahja për të ka ardhur nga të gjitha komunitetet.
“Kushdo që humb ka të drejtë edhe me u hidhëru dhe të reagoj, siç edhe po ua merr mendja atyre. Edhe në periudhën parazgjedhore unë kam shkuar me një propozim që të gjithë qytetarët ta përkrahin programin, unë jam ndoshta zyrtarja e vetme dhe subjekt politik që ka pasur përkrahje nga të gjitha etnitë”, ka thënë Hoxhiq për Front Online.
Hoxhiq u shpreh për Front Online se votat për të nuk janë as të blera as të marra me presion, por janë nga qytetarët që kanë besuar në programin e listës së saj.
“Asnjë votë e imja nuk është e blerë, asnjë votë e imja nuk është marrë me presion, unë jam përkrahur nga qytetarë të Kosovës në zgjedhjet e Kosovës parlamentare për programin i cili flet për bashkëjetesë dhe për respektim të mirësjelljes ndërmjet etniteteve”, ka thënë ajo.
Ajo mohon që ka pasur marrëveshje me “Listën Serbe” dhe thotë se këto janë shpifje të atyre që kanë menduar që e kanë karrigen e rezervuar me “tapi” në Kuvendin e Kosovës.
“Ju si gazetarë duhet të bëni një dallim, Adriana Hoxhiq ka pasur përkrahje nga komuniteti serb. por jo nga Lista Serbe, në asnjë mënyrë nuk ka qenë as e mundur, nuk është as e logjikshme që të kemi një bashkëpunim të tillë. Por në anën tjetër edhe nëse kishim pasur diçka të tillë, kjo punë nuk është ilegale, unë do ta thosha publikisht. Ato janë shpifje të dikujt që ka ndejt dhe e ka pasur karrigen në Parlament 20 vjet në Parlament dhe mendon që e ka me tapi, kjo është gabim”, është shprehur Hoxhiq.
E pyetur nëse është e gatshme të bashkëpunoj me Lëvizjen Vetëvendosje si parti që ka fituar zgjedhjet parlamentare në Kosovë, ajo ka thënë se e respekton vullnetin e shumicës së popullit shqiptarë, por që nuk do të bëjë pazare me votën e saj për poste politike.
“Për mua vullneti i shumicës, i popullit shqiptarë është diçka që unë duhet të e respektoj, unë nuk kam kërkesa personale, unë kam kërkesë për komunitet. Unë pazare me votën time nuk bëj, për mua vota e qytetarit është e shenjtë… unë mezi po pres me i marr rezultatet përfundimtare t’i verifikojmë mandatet dhe të fillojmë punën”, është shprehur Hoxhiq për Front Online.