Nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit është konfirmuar se është iniciuar kërkesa për rikthimin e tifozëve.
Kjo është konfirmuar nga zëvendës-ministrja, Daulina Osmani, e cila mes tjerash foli edhe për palestrat.
“Po është inicuar kërkesa për rikthimin e shikuesve. Do të rishikohet mundësia që të bëhet hapja e palestrave për një numër të caktuar, verësisht në bazë të kapaciteteve të sallave. Duhet të jemi të kujdesshëm sepse numri i të vaksinuarve është shumë i vogël te ne. Shtetet tjera fqinje kanë numër më të madh të popullsisë që kanë marrë vaksinat” deklaroi Osmani për Indeksonline.
Vlen të theksohet se në shumë prej vendeve evropiane tifozët janë rikthyer në disa prej ndeshjeve të fundit të sezonit dhe në ndeshje finale.
Gjithashtu, disa nga miqësoret mes shteteve janë duke u luajtur me praninë e një numri të caktuar të tifozëve.
Kujtojmë se tifozët do të jenë të pranishëm edhe në ndeshjet e Kampionatit Evropian të futbollit “Euro 2020”, që fillon nga 11 qershori.
Në vendin tonë, vendimi për ndalimin e prezencës së tifozëve në ngjarjet sportive ishte marrë më 11 mars 2020. Ky vendim vazhdon të jetë ende në fuqi.