Një vit më parë, më 13 mars qytetarët e vendit tonë u përballën me një sfidë të madhe, atë të një virusi të panjohur, COVID-19, ku edhe u paraqitën dy rastet e para të infektimit më këtë virus.
“Stresi, panika, ngarkesa psiqike ishin pothuajse jashtë çdo norme, si për stafin shëndetësor po ashtu për qytetarët tanë…”, kështu e kujton ditën e parë të dy rasteve të para të infektimit me virusin Sars Cov 2, infermieri i Qendrës Klinike Universitare të Kosovës (QKUK) si dhe kryetari i Sindikatës së infermierëve, mamive dhe profesionistëve të tjerë shëndetësorë, Fitim Havolli.
Përmes një statusi në rrjetin social në Facebook, Havolli e bën një krahasim të ditës së parë të paraqitjes së dy rasteve të para, 13 mars 2020 dhe të ditës së sotme 13 mars 2021.
“Sot u bënë një vit. Rastësisht kemi qëlluar edhe sot kujdestar po në të njëjtën datë dhe në të njëjtin repart të Klinikës Infektive,Rep.”B”. Dua ti bëjë dy krahasime të një viti paraprak kur u lajmëruan dy rastet e para në Kosovë me COVID-19-të me 13 Mars 2020 dhe të ditës së sotme 13 marsit 2021. Më kujtohet si sot, kur para një viti raste i kishim vetëm dy pozitive ne nivel vendi dhe të hospitalizuar po të njëjtit , por kishim shumë të panjohura të mëdha rreth këtij virusit dhe rreziqet e tij në raport me njerëzimin gjithandej. Stresi, panika, ngarkesa psiqike ishin pothuajse jashtë çdo norme, si për stafin shëndetësor po ashtu për qytetarët tanë, ndërsa sot, kemi mjera raste pozitive dhe të hospitalizuar me COVID-19-të, por që tani ka shumë më shumë të njohura dhe shumë me pak panik e stres, duke ju falënderuar një pune kolosale ekipore profesionale të profesionistëve shëndetësor, Infermierë/e mjekë dhe staf tjetër mbështetës”, ka shkruar Havolli në Facebook.
Ndryshe, edhe një vit më pas, kjo luftë ende po vazhdon ku sot Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publikë të Kosovës (IKSHPK), raportoi se janë regjistruar 578 raste të reja të infektuarve me COVID-19 në vend si dhe tetë persona kanë humbur jetën, duke e çuar numrin në total të të vdekurve që nga fillimi i pandemisë e deri më sot, 1 mijë e 696 persona.
https://www.facebook.com/fitim.havolli/posts/10158047563139109