Presidenti i Polonisë, Andrzej Duda, është infektuar me koronavirus. Lajmin e bëri të ditur ministri presidencial, Blazej Spychalski.
Sipas këtij ministri, i cili njoftoi për infektimin e presidentit përmes një postimi në Tëitter, kreu i shtetit të Evropës Qendrore është duke u ndier mirë, shkruan Reuters.
“Presidenti dje u testua për praninë e koronavirusit. Rezultati doli të jetë pozitiv. Presidenti është mirë. Ne jemi në kontakt të vazhdueshëm me shërbimet mjekësore përkatëse”, shkroi ministri Spychalski në rrjetin e famshëm social.
Ndryshe, Duda e siguroi mandatin e ri si president verën që shkoi pasi i fitoi zgjedhjet me rezultat të ngushtë në rundin e dytë që u mbajt në korrik.
Ai njihet për qëndrimet populiste dhe është përplasur me Bashkimin Evropian rreth reformave që synon t’i bëjë në sistemin e drejtësisë, të cilat nga BE-ja janë cilësuar si rrezikim i pavarësisë së këtij sektori.
Duda është kritikuar edhe për qëndrimet e tij kundër komunitetit LGBT dhe për synimin për ta tërhequr Poloninë nga Konventa e Stambollit, e cila ka të bëjë me luftimin e dhunës ndaj grave dhe dhunës në familje.