Është mbyllur gjimnazi “Skenderbeu” në komunën e Kaçanikut, kjo pasi që nëntë mësimdhënës të saj kanë rezultuar pozitivë me Covid-19.
Tashmë të rekomanduar nga task forca e kësaj shkolle, drejtoria e saj ka marrë vendim që kjo shkollë të kaloj në skenarin C, përkatësisht për 14 ditë të vijoj mësimin në platformën online.
“Me gjithë përpjekjet tona për ta sfiduar pandeminë Covid-19, gjendja e krijuar, për çka janë njoftuar të gjitha institucionet relevante, bazuar edhe në Rekomandimin e 20.11.2020 të Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike, na diktoi të marrim një vendim të ri:
– Kalimin në Skenarin C të mësimit, përkatësisht në mësimin online, për 14 ditë, deri më 4.12.2020”, thuhet në njoftim.
Sipas të dhënave të IKSHP, pas testimit të një numri të konsiderueshëm të personelit, nga 12.11.2020 deri më 20.11.2020, gjithsej pozitivë me SARS-CoV-2 kanë rezultuar 9 mësimdhënës.
Tutje drejtoria ka ftuar nxënësit, personelin e Gjimnazit “Skënderbeu” dhe prindërit që, të gjithë së bashku, të janë në nivelin e përgjegjësisë ndaj procesit edukativ-arsimor./FrontOnline/