Profesoresha e Juridikut në Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina”, Emine Avdyli ka folur pas publikimit të një video ku shihet profesori i Fakultetit Juridik, Xhafer Tahiri, duke kapur për krahu një studente e cila sipas Tahirit kishte kopjuar në provim dhe se nuk kishte pranuar të tregonte ID kartelën.
Avdyli ka thënë se studentja ka hyre në provim dhe ka kopjuar gjatë testimit e që më pas ka refuzuar të tregojë ID kartelën, e si pasojë e kësaj është larguar nga salla.
“Fillimisht është një deklaratë e pavërtetë, studentja ka hyre ne provim dhe nuk e ka shënuar emrin dhe ID, ne e bëjmë verifikimin e studenteve se ID së bashku me test, se a është i njëjtë emri dhe mbiemri, në anën tjetër kolegu/profesori i ka kërku me tregu emrin pasi ajo është zënë me telefon në dorë dhe e ka fotografua testin dhe e ka shpërndarë në grupin Viber, kështu qe absolutisht ato janë të pavërteta, në anën tjetër në ato momente unë kam dal prej sallës tjetër dhe e kam parë situatën se si po zhvillohet, dhe kam insistua që vajza të shënoi emrin, ne nuk jemi treg aty me hi e me dal kushdo por duhet me u identifikua studenti dhe fatkeqësia më e madhe është se mediat nuk po i verifikojnë situatën se si duhet dhe e kanë publiku një lajm të pavërtetë, që unë u çudita kur e pashë”, ka thënë Emine Avdyli për Express.
Në ndërkohë lidhur me incidentin, studentja në fjalë kishte dhënë version tjetër për rastin.
Siç i ka thënë Klan Kosovës, nuk ka dashur të futet në provim dhe se Tahiri ka provuar që ta bëjë të kundërtën, gjë e cila është demantuar nga vetë Tahiri, i cili ka postuar disa biseda të cilat shihen se si studentet bashkëpunojnë ne kopjim dhe se studentja është zënë duke kopjuar.