Klubi i basketbollit BC Çair 2030 e ka humbur duelin me Pelisterin në Manastir me rezultat 77:73.
Mirëpo, dueli nuk ka shkuar ashtu siç duhet, pasi ekipi shqiptar është përballur me gjithçka tjetër jashtë lojës në Maqedoninë e Veriut.
Skuadra është fyer gjatë ndeshjes, ndërsa u sulmua me gurë autobusi i ekipit shqiptar nga huliganët e ekipit vendës.
“Ndeshja u karakterizua nga tension i lartë, ndikim i dyshimtë dhe presion i madh nga publiku vendas, që përfshinte fyerje, gjuhën e urrejtjes dhe gjuajtje sendesh drejt lojtarëve tanë. Edhe pas këtyre incidenteve nuk u pa e arsyeshme të zbrazet tribuna. Në fund gjatë nisjes për kthim, autobusi i ekipit tonë u sulmua me gurë, një akt që e dënojmë ashpër”, thuhet në reagimin e Çairit, i cili e ka publikuar edhe një video nga sulmi i autobusit të tyre.
Kujtojmë se skuadra shqiptare ndeshjen e radhës e luan ndaj Kumanovës në Çair.