Për kryeministrin e Kosovës, Albin Kurtin dhe zëvendësin e tij, Besnik Bislimi, liberalizimi i vizave me Bashkimin Evropian nuk po e zbrazë vendin, por vetëm se po ndodhin vizitat e gjyshërve te nipat dhe mbesat e tyre në diasporë.
Por, për përpfaqësuesit e opozitës në vend dhe njohësit e ekonomisë në vend, deklaratat e tilla janë të pamatura, të cilat vijnë nga drejtuesit e pushtetit qendror.
Shala: Kurti e Bislimi merren veç me “Zajednicë”, nuk u intereson ekonomia
Kryetari i Komisionit Parlamentar për Ekonomi, Ferat Shala, vlerëson se Kurti e Bislimi nuk po e thonë të vërtetën sa i përket ikjes së të rinjve nga Kosova.
“Ikja e të rinjve është dukuri shumë e rëndë për Kosovën, kryeministri e Bislimi janë jashtë lojës njerëzore e institucionale po e thënë të pavërtetën. Duhet të jesh injorant të mos e shohësh largimin e rinisë”.
Ai thotë për Front Online se nga çdo dikaster ka ikje të profesionistëve.
“Specialistë, mësimdhënës, mjekë e nga çdo dikaster ka largim të profesionistëve. Qeveria po mundohet ta fsheh këtë gjë”, shprehet Shala.
Deputeti Shala theksoi se pushteti aktual s’ka strategji për krijimin e vendeve të reja të punës në Kosovë.
“Me këtë logjikë qeverisje po e mbështesim ikjen e popullatës. Ata dy e kanë në agjendë çështjen e Zajednicës, nuk e kanë asnjë rezultat në asnjë sferë ekonomike e politike. Nuk kanë strategji për hapjen e vendeve të reja të punës”.
Haki Shatri: Qeveria përgjegjëse për ikjen e rinisë, regjistrimi i popullsisë do ta dëshmojë këtë
Haki Shatri, ish-ministër i Ekonomisë, fajin për ikjen e rinisë e ka hedhur tek Qeveria “Kurti”.
Shatri thotë për Front Online se pushteti e ka përgjegjësinë për largimin e qytetarëve nga Kosova.
“Regjistrimi i popullsisë do ta tregojë sa persona janë larguar nga vendi e tash ku po i çon Kurti te daja a te hallat nuk e dimë. Qeveria ka përgjegjësi për ikje, nuk është marr me zhvillim ekonomik”, shprehet ish-ministri i Ekonomisë dhe Financave.
Sipas Shatrit, rinia ka humbur shpresat për të jetuar në Kosovë.
“Ekonomia është zhvilluar si mos me pas Qeveri se sektori privat e gjen rrugën. Njerëzit e kanë humbur shpresën për një të ardhme në Kosovë”.
Ekonomisti Raci: Qeveria dhe bizneset t’i rrisin pagat e punëtorëve
Njohësi i çështjeve ekonomike, Imer Raci ka kërkuar nga Qeveria e bizneset që t’i rrisin pagat për parandalimin e largimit nga vendi të qytetarëve.
Raci tha për Front Online se me pagat aktuale nuk mbulohet kostoja e jetesës.
“Kostoja e jetës në Kosovë është shumë e lartë dhe me pagat që janë nuk mbulohet. Bizneset dhe Qeveria duhet sa ma shpejt t’i rrisin pagate punëtorëve”.
Kjo është arsyeja që sipas Racit të rinjtë po e lëshojnë Kosovën.
“Në shumë sektorë po vërehet ikja e të rinjve. Kjo po ndodh për shkak të mungesës së sigurimit shëndetësor, ligji i punës nuk respektohet, çështja e pagës”.
Përndryshe, sipas Ministrisë së Punëve të Brendshme për gjatë periudhës janar-maj të vitit 2024, në pikat kufitare të Kosovës, kanë hyrë dhe dalur nga Kosova 7 milionë e 297 mijë e 403 qytetarë, ku prej tyre 3 milionë e 284 mijë e 405 kanë dalë nga Kosova, derisa 4 milionë e 12 mijë e 998 persona kanë hyrë brenda Kosovës për këtë periudhë kohore./FrontOnline/