Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD), deklaron se Divizionet Penale të Departamenteve të Përgjithshme të Gjykatave Themelore vazhdojnë të përballen me numër të madh të lëndëve të pazgjidhura, të cilat barten vit pas viti, duke shtuar se ky numër i lëndëve është një ndër arsyet kryesore të zvarritjes së rasteve gjyqësore në sistemin gjyqësor të Kosovës.
Kjo u bë e ditur nga IKD në raportin e publikuar “Krimet e Përgjithshme në Kosovë – 2019”, i cili është me përkrahje të Departamentit të Shtetit Amerikan – Byrosë së Narkotikëve Ndërkombëtar dhe Çështjeve të Zbatimit të Ligjit (INL) dhe NED-it. Ky raport është rezultat i monitorimit të drejtpërdrejt të Departamenteve të Përgjithshme – Divizioneve Penale në Sistemin e Drejtësisë, ku përfshihen 3,426 seanca gjyqësore të monitoruara nga IKD, me gjithsej 2,371 raste.
“Por, për dallim nga vitet paraprake, gjatë vitit 2019 divizionet penale të Gjykatave Themelore janë përforcuar me 18 gjyqtarë të rinj, i cili përforcim ka ndikuar edhe në uljen e numrit të lëndëve të pazgjidhura në fund të periudhës raportuese. Për dallim nga viti 2018 kur kishin mbetur të pazgjidhura 40,118 lëndë, në fund të vitit 2019 ky numër është zvogëluar për 6,861 lëndë, përkatësisht në 33,257 lëndë. Por, përkundër kësaj rritje, shprehur në mesatare të numrit të lëndëve të zgjidhura në raport me numrin e gjyqtarëve, gjyqtarët e divizioneve penale gjatë vitit 2019 kanë zgjidhur lëndë më pak se sa në vitin 2018”, thuhet në njoftimin e IKD-së.
Sa i përket politikës ndëshkimore në divizionet penale, dënimi më i shqiptuar është dënimi me gjobë, që përbën 49.39% të dënimeve, pasuar nga dënimi me kusht në 40.26% të rasteve, derisa në vetëm 6.64% të rasteve është shqiptuar dënim me burgim efektiv. 3.72% e lëndëve janë zgjidhur në mënyrë tjetër.