×
  • Lajme
  • Lajme

    IKD: Sistemi i drejtësisë rrezikon të shndërrohet në një agjenci qeveritare

    FrontOnline
    14 Tetor 2020

    Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD), me përkrahje të Departamentit të Shtetit Amerikan – Byrosë së Narkotikëve Ndërkombëtar dhe Çështjeve të Zbatimit të Ligjit (INL) dhe NED-it, të mërkurën, ka mbajtur konferencë për media, në të cilën ka publikuar raportin “Llogaridhënia e Gjykatësve dhe Prokurorëve”, i cili raport është rezultat i monitorimit të drejtpërdrejt të Ligjit për Përgjegjësinë Disiplinore të Gjyqtarëve dhe Prokurorëve.

    Në komunikatën për media, thuhet se drejtori ekzekutiv i IKD-së, Ehat Miftaraj, ka thënë se kanë gjetur se zbatimi në praktikë i Ligjit për Përgjegjësinë Disiplinore të Gjyqtarëve dhe prokurorëve është sfiduar, dhe se janë evidentuar raste kur llogaridhënia ndaj gjyqtarëve apo prokurorëve është zbatuar në mënyrë selektive.

    Miftaraj gjatë konferencës për media të IKD-së shtoi se IKD ka evidentuar raste kur autoritetet kompetente kanë konstatuar shkelje të gjyqtarit apo prokurorit, por se rastin e kanë mbyllur në mënyrë të kundërligjshme, me arsyetimin se shkelja është e lehtë.

    Sipas Miftarajt, problemet më të mëdha në zbatimin e këtij ligji janë shfaqur në Prokurorinë Themelore të Prishtinës, përkatësisht tek autoriteti kompetent i kësaj prokurorie, Kryeprokurori Kujtim Munishi.

    Në anën tjetër, Hulumtuesi i Lartë nga IKD, Gzim Shala, ka thënë se sipas standardeve ndërkombëtare që i referohen administrimit të mirë të drejtësisë, pavarësia dhe llogaridhënia e gjyqësorit shkojnë së bashku, dhe se pa llogaridhënie, sistemi i drejtësisë rrezikon të shndërrohet në një agjenci qeveritare.

    Tutje, Shala tha se Kuvendi i Republikës së Kosovës ka miratuar Ligjin për Përgjegjësi Disiplinore të Gjyqtarëve dhe Prokurorëve, sipas të cilit ligj, disiplinimi i gjykatësve dhe prokurorëve i kthehet gjyqësorit dhe shuhet Zyra e Prokurorit Disiplinor, e cila zyrë, sipas Shalës, kishte dështuar të ushtrojë rolin e saj.

    Shala ka thënë se nga fillimi i vitit 2020, IKD ka filluar që të deponojë ankesa disiplinore ndaj gjyqtarëve dhe prokurorëve tek autoritetet kompetente, të cilat ankesa janë derivat i gjetjeve që IKD bënë gjatë monitorimit sistematik të sistemit të drejtësisë.

    “Që nga fillimi i vitit 2020, IKD ka filluar që të iniciojë procedura disiplinore ndaj gjyqtarëve dhe prokurorëve, në rastet e shkeljeve disiplinore që IKD gjenë gjatë monitorimit sistematik. Gjatë periudhës kohore 1 janar – 30 qershor 2020, IKD ka iniciuar gjithsej 17 procedura disiplinore, 10 prej të cilave ndaj prokurorëve, dhe shtatë (7) ndaj gjykatësve. Sa i përket trajtimit të këtyre ankesave disiplinore nga ana e autoriteteve kompetente, përkatësisht Kryeprokurorëve dhe Kryetarëve të Gjykatave, IKD ka evidentuar disa raste kur vet autoritetet kompetente kanë kryer shkelje disiplinore pasi në kundërshtim me ligjin, nuk kanë vendosur fare në një ankesë disiplinore, apo kanë vendosur jashtë afatit të përcaktuar me ligj”.

    Shala tha se në trajtimin e ankesave disiplinore, autoritetet kompetente po tejkalojnë mandatin që kanë, duke marrë kompetenca nga KGJK dhe KPK, dhe duke amnistuar prokurorë dhe gjykatës të shumtë nga shkeljet procedurale.

    “Referimi bazë për autoritetin kompetent është vetëm pranimi i ankesave, derisa dispozitat e tjera i japin mundësi autoritetin kompetent që vetëm të filtrojë ankesat disiplinore, përkatësisht të ndajë në mes të rasteve që përbëjnë çështje disiplinore dhe atyre që nuk përbëjnë një çështje të tillë. Por, nga monitorimi i zbatimit në praktikë të Ligjit Nr.06/L-057 për Përgjegjësinë Disiplinore të Gjyqtarëve dhe Prokurorëve, IKD ka gjetur se autoritetet kompetente kanë tejkaluar këtë kompetencë, me ç ’rast kanë hyrë në fushën e kompetencave që kanë panelet hetimore që themelohen nga këshillat, e madje edhe në kompetenca të vet këshillave. Kjo pasi që gama e vlerësimit nga autoritetet kompetente në këto raste ka qenë shumë më e gjerë se sa ajo që ka përcaktuar ligji, duke shndërruar kështu autoritetin kompetent në një institut tjetër nga ai siç është i përkufizuar me ligj. Kjo është bërë në atë mënyrë që autoritetet kompetente kanë dalë jashtë katër (4) filtrave të lejuar, dhe kanë vlerësuar rastet në gamën që lejohet të vlerësojnë vetëm panelet hetimore të këshillave dhe vetë këshillat” ka thënë Shala.

    Po ashtu, Shala ka thënë se kësaj mënyrë të veprimit nga ana e autoriteteve kompetente i ka kontribuar edhe Institucioni i Avokatit të Popullit, i cili institucion ka hequr dorë nga një pjesë e rolit që ka sipas Ligjit për Përgjegjësinë Disiplinore të Gjyqtarëve dhe Prokurorëve.

    “Sipas Ligjit për Përgjegjësinë Disiplinore të Gjyqtarëve dhe Prokurorëve, Institucioni i Avokatit të Popullit ka për kompetencë të iniciojë kërkesë për fillimin e hetimit disiplinor si në rastin kur autoriteti kompetent nuk vendos brenda afatit ligjor, ashtu edhe në rastin kur autoriteti kompetent e hudhë poshtë një ankesë disiplinore, por se Avokati i Popullit ofron dëshmi të mjaftueshme se një ankesë e caktuar disiplinore nuk duhet të ishte hedhur poshtë. Por, Institucioni i Avokatit të Popullit ka vendosur që të mos trajtojë rastet kur autoritetet kompetente në mënyrë të kundërligjshme dhe të pabazuar hudhin ankesat disiplinore. Kjo për faktin se ky institucion ka ngatërruar vendimin e autoritetit kompetent me vendimet gjyqësore të nxjerra nga trupi gjykues apo gjyqtari i vetëm gjykues në një procedurë gjyqësore të caktuar. Duke vepruar në këtë mënyrë, Institucioni i Avokatit të Popullit ka hequr dorë nga kompetencat ligjore që ka sipas nenit 12.3 të Ligjit për Përgjegjësinë Disiplinore të Gjyqtarëve dhe Prokurorëve. Duke vepruar në këtë mënyrë, arbitraritetit të autoriteteve kompetente në masë të madhe i ka kontribuar edhe Institucioni i Avokatit të Popullit” ka përfunduar Shala.

    Nga Rubrika
    Lajme30 Dhjetor 2024
    Ndaj një 42-vjeçari policia në Shtime ka hapur rast sot, pasi ai ka pranuar se ka shtënë me armë zjarri të premten....
    Lajme30 Dhjetor 2024
    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka shprehur ngushëllime për vdekjen e Shehide Selimi-Krasniqit, nëna e dy heronjve të Kosovës, Mujë e Ali...
    Lajme30 Dhjetor 2024
    Dy vëllezër janë arrestuar në Deçan, nën dyshimin se kanë kanosur zyrtarët policorë. Njëri prej tyre dyshohet se ka kryer dhe veprën...
    Të tjera
    Vip30 Dhjetor 2024
    Një pjesë e banorëve sot kanë luajtur pantomime në Big Brother VIP Kosova 3. Të mbledhur në dhomën e ditës, banorët me...
    Vip30 Dhjetor 2024
    Driloni e ka quajtur ”rrence” Xhenetën, e cila akuzonte atë se e kishte shiquar në momentet e saj intime. ”Kërkush so ka...
    Bota/Rajoni30 Dhjetor 2024
    Shumë liderë evropianë kanë reaguar me nderime të përzemërta ndaj lajmit për ndarjen nga jeta të ish-presidentit amerikan James Earl “Jimmy” Carter...
    Lajme30 Dhjetor 2024
    Kandidati për kryeministër nga PDK, Bedri Hamza, në Ditën e Veteranit, ka shprehur respektin dhe krenarinë për sakrificat e veteranëve të Ushtrisë...
    Bota/Rajoni30 Dhjetor 2024
    Drejtori i Drejtorisë Vendore të Policisë në Tiranë, pasi u njoh me një video të publikuar në rrjetet sociale, në të cilën...
    Lajme30 Dhjetor 2024
    Gresa Caka Nimani ka përfunduar sot mandatin e saj nëntë vjeçar si kryetare e Gjykatës Kushtetuese. Gjykata Kushtetuese tha se ajo dha...

    FrontOnline, © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara.