Gjilani nuk ka arritur të marrë pikë nga udhëtimi në “Riza Lushta” përballë Trepçës ’89, raporton FrontOnline.
Skuadra gjilanase ndonëse ishte e para që kaloi në epërsi, nuk ia doli të merrte asnjë pikë, pasi “Minatorët” në fund fituan me përmbysje 2:1.
Pas ndeshjes, trjaneri i Gjilanit, Ismet Munishi ka deklaruar se mungesat e kanë penalizuar skuadrën e tij.
“Kemi pasur mungesa të rëndësishme në këtë ndeshje dhe është dashur të komponohemi disa për këtë takim. Mund të them se jam i kënaqur nga ajo se çfarë pash në pjesën e parë të lojës, ndërkohë që në pjesën e dytë bëmë disa gabime të cilat nuk guxojnë të na ndodhin”, tha Munishi për “Art Sport”.
Në ndeshjen e radhës, Gjilani luan si mysafir i Prishtinës, ku vetëm një barazim mjafton që kryeqytetasit të shpallen kampion.
“Ne do të përgatitemi për ndeshjen e radhës, presim edhe rikthimin e disa futbollistëve. Është vetëm një ndeshje e radhës për ne, pasi që nuk na intereson se kush bëhet kampion apo jo”, shtoi ai.
Ndërkaq, trajneri i Trepçës ’89, Shpëtim Idrizi i ka falënderuar futbollistët e tij për angazhimin.
“Shpërdoruam raste të shumta në këtë ndeshje dhe kur përballë ke një super skuadër si Gjilani, normalisht se të vështirësohen punët. Dëshiroj të shfrytëzoj rastin për t’i falenderuar gjithë futbollistët për mundin dhe angazhimin e dhënë në këtë përballje”, ka thënë Idrizi.
“Na presin dy sfida jashtëzakonisht të vështira. Ne nuk do të dorëzohemi dhe do të tentojmë që nga këto dy ndeshje të marrim katër pikë. Kjo fitore ndikon në aspektin psikologjik, ndaj presim që në këto dy ndeshje të marrim rezultate pozitive”, përfundoi ai./FrontOnline/