lma Lama, kandidate për deputete e Lidhjes Demokratike të Kosovës tha se pas rezultatit jo të kënaqshëm të LDK-së, partia është në një proces reformimi.
Në intervistën për Euronews Albania, Lama u shpreh se pas dorëheqjes së kryetarit të LDK-së, Isa Mustafës, kushdo të vijë në krye do t’i japë partisë një frymë të re.
Sipas saj, largimi i kryetarit nuk është mundësi për rikthimin e Vjosa Osmanit sepse siç sqaroi dhe kandidatja për deputete, Vjosa Osmani dhe LDK-ja i kanë ndarë rrugët.
“Besoj se zonja Osmani i ka ndarë rrugët me LDK sipas deklaratave të saj kështu që nuk besoj se do të ketë një rikthim. Përveç kësaj edhe disponimi në strukturat e LDK nuk është i mirë pas asaj që ka ndodhur kështu që nuk e di por vlerësimi im është i tillë.”
Ajo sqaroi se pikërisht për shkak të rezultatit negativ të LDK-së në zgjedhjet e 14 shkurtit, jo vetëm Mustafa por dhe kryesia e partisë ka dhënë dorëheqjen.
“Besoj që një kryetar i ri do të vijë nga strukturat e LDK-së, nga brenda LDK-së, nuk mund të importohet nga jashtë,” – tha Lama teksa sqaroi gjithashtu se ende nuk kanë kandidatura zyrtare.
Për kryetarin e ardhshëm të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lama tha se duhet jo vetëm të jetë intelektual por të ketë aftësitë e duhura menaxheriale për të drejtuar partinë, ndërkohë që nuk mohoi se Avdullah Hoti ishte një figurë e përshtatshme por që nuk kishte shprehur pretendimet për të kryesuar LDK-në.