Familjarë, miq, të afërm, kolegë e bashkëpunëtorë i dhanë lamtumirën e fundit ish-deputetit demokratit, Gerti Bogdani, i cili u nda nga kjo jetë mesditën e të mërkurës, si pasojë e një arresti kardiak në moshën 44-vjeçare.
Politika u bë bashkë përtej ngjyrave partiake gjatë homazheve të zhvilluara në hollin e parlamentit, që hapi dyert që prej orës 10 të paradites, duke e nderuar në një ceremoni zyrtare.
Në homazhe nuk munguan krerët më të lartë të shtetit, shkruan tvklan.al, transmeton Klankosova.tv.
Humbja e parakohshme e Gerti Bogdanit i bëri të lotojnë të gjithë, pavarësisht nga ngjyrat partiake.
Pas mbylljes së homazheve, arkëmorti me trupin e pajetë të ish-deputetit Gerti Bogdani, i cili shoqërohej nga famijarë, miq e deputetë të grupit parlamentar të Partisë Demokratike u përcoll në varrezat e Sharrës.
Bogani mbahet mend si student ekselent i cili braktisi Shtetet e Bashkuara të Amerikës për t’u rikthyer në vitin 2005 në Shqipëri, ku hodhi hapat e para të karrierës së tij politike pranë Partisë Demokratike.
Në vitin 2007 ai u zgjodh kryetar i minibashkisë numër 10 në Tiranë, ndërsa xhaketën e deputetit e veshi për herë të parë në zgjedhjet parlamentare të 28 Qershorit të 2009-ës, mandat të cilin e rinovoi edhe në garën elektorale të 2013-ës.
Në selinë blu i besuan drejtimin e Forumit Rinor të Partisë Demokratike si dhe postin e Sekretarit për Marrëdhëniet me Jashtë.
Gerti Bogdani ishte baba i dy vajzave nga martesa me aktivisten e njohur Edlira Çepani.