Presidenti i Turqisë, Rexhep Erdogan, dhe kryeministri grek, Kyriakos Mitsotakis, të premten shkëmbyen ngushëllime për humbjen e jetës së njerëzve nga tërmeti i fuqishëm që i goditi vendet e tyre.
“Sapo e telefonova presidentin Erdogan për t’ia shprehur ngushëllimet e mia për humbjen tragjike të jetëve nga tërmeti që i goditi dy vendet tona”, shkroi në Twitter kryeministri grek.
“Cilatdo qofshin dallimet tona, ka kohëra kur popujt tanë kanë nevojë të qëndrojnë së bashku”, shtoi ai.
Në anën tjetër, presidenti turk i tha kryeministrit grek që Turqia është e gatshme t’i ofrojë asistencë Greqisë, nëse ka nevojë, shkruan Anadolu.
Më vonë, kreu i shtetit turk i ktheu përgjigje në postimin në Twitter kryeministrit grek, duke shkruar: “Faleminderit, z.Kryeministër. Ia shpreh ngushëllimet e mia tërë Greqisë në emrin tim dhe të popullit turk. Gjithashtu, Turqia është gjithmonë e gatshme ta ndihmojë Greqinë për ta ndihmuar që t’i shërojë plagët. Që dy fqinjët të shfaqin solidaritet në kohë të vështirë është më e vlefshme sesa shumë gjëra në jetë.”