Sipas raportimeve të mediave aso kohe, Shala në aktakuzë ishte përshkruar si pjesë e asaj që Prokuroria Ndërkombëtare e quan “Ndërmarrje e Përbashkët Kriminale”, dhe si planifikues i disa krimeve, përfshirë abuzime dhe kidnapime.
Por prokurori nuk bëri asnjë pyetje në lidhje me këtë çështje. E vetmja gjë iu kërkua të bënte atij ishte të shënonte shtëpitë ku gjendeshin selitë lokale të UÇK-së dhe kazermat në foton e fshatit dhe skicën që ai kishte bërë vetë.
Shala në gjykimin ndaj Haradinajt kishte marrë pjesë si dëshmitar. Ai ishte pyetur nga Prokurori për takimet e tij me Idriz Balën, aso kohe i bashkëakuzuar me Ramush Haradinajn.
“Komandant Ujku” ishte pyetur se kush e ka emëruar si komandant Idriz Balajn, teksa kishte aluduar tek Ramush Haradinaj.
Ai aso kohe konfirmonte se kishte udhëtuar disa herë nga Jabllanica për në Gllogjan tek Ramush Haradinaj, për të marrë para, ushqim dhe armë për luftën.
Sipas disa dokumenteve që ishin publikuar aso kohe në gjykim e për të cilat më pas ishte raportuar në media, Shala në qershor të 1998-tës, me urdhër të Haradinajt kishte udhëtuar drejt Shqipërisë për të marrë armë.
Po ashtu, siç raportohej atëherë, ishte pikërisht urdhëri i Ramush Haradinajt i cili e kishte transferuar Shalën nga Jabllanica në Dujakë.
Informacionet e dhëna nga Shala nuk ishin përshkruar të ndonjë rëndësie të veçantë, teksa ato nuk i kishte kundërshtuar as mbrojtja.
Në gjykimin kundër Haradinajt ai ishte dëshmitar i Prokurorisë.
Shala ndërkaq është arrestuar sot në Belgjikë, me urdhër të Gjykatës Speciale teksa kësaj i paraprinë një aktakuzë e konfirmuar e Prokurorisë së Specializuar të Hagës.