
Importi i veturave nga Koreja e Jugut ka shënuar rritje të madhe gjatë vitit 2025, duke u shndërruar në një nga trendet më të theksuara në tregun automobilistik të Kosovës. Pronari i Korea Auto Imports Prishtina, Moris Hyseni, ka deklaruar për Front Online se kjo rritje është rezultat i disa faktorëve kyç që e bëjnë këtë treg jashtëzakonisht të leverdishëm për blerësit kosovarë.
Sipas Hysenit, një nga arsyet kryesore është fakti se veturat e importuara nga Koreja e Jugut janë identike me ato që qarkullojnë në tregun evropian.
“Fillimisht, veturat që vijnë nga Koreja e Jugut janë identike me çdo veturë tjetër në tregun evropian, nuk ekziston asnjë dallim strukturor”, ka theksuar ai.
Ai shton se një tjetër avantazh i madh është niveli i lartë i pajisjeve që këto vetura ofrojnë.
“Koreja e Jugut është ndër vendet me standardin më të lartë të jetesës në botë dhe kjo reflektohet edhe në automjete. Për dallim nga Evropa, në Kore edhe veturat më të thjeshta janë më mirë të pajisura sesa një veturë mesatare e tregut evropian”, ka deklaruar Hyseni për Front Online.
Një element shumë i rëndësishëm, sipas tij, lidhet me gjendjen teknike dhe sigurinë në blerje. Ai thekson se ligjet strikte në Kore e bëjnë procesin shumë më të besueshëm.
“Para se një veturë e përdorur të dalë në shitje, ajo e ka për detyrim ligjor t’i nënshtrohet një inspektimi gjenerik. Kjo bëhet për të evituar mashtrimet e mundshme dhe siguria e blerjes është shumë më e lartë se në Evropë”, ka sqaruar ai.
Hyseni thotë se çmimi është një tjetër faktor vendimtar që po i shtyn qytetarët e Kosovës drejt veturave nga Koreja e Jugut.
“Në Kore, veturat evropiane zhvlerësohen shumë më shpejt, sepse atje konsiderohen vetura luksoze. Kjo i bën ato shumë më të përballueshme për tregun tonë”, ka shtuar ai.
Sa i përket dallimeve mes veturave të njëjta, por të importuara nga tregje të ndryshme, Hyseni është i qartë se nuk ka ndryshim real.
“Nuk ekziston asnjë dallim mes një Mercedes-i apo Audi nga Koreja e Jugut dhe atij nga Gjermania. I vetmi ndryshim është se vetura mesatare në Kore ka më shumë opsione sesa një veturë mesatare në Evropë”, ka theksuar pronari i Korea Auto Imports Prishtina.
Ai rendit si karakteristika kryesore të këtyre veturave çmimin e favorshëm, sigurinë në blerje, gjendjen shumë të mirë teknike dhe opsionet e shumta shtesë.
“Të gjithë këta faktorë e bëjnë tregun e veturave të përdorura nga Koreja e Jugut shumë të leverdishëm, ndërsa kompani si e jona e lehtësojnë edhe më shumë procesin, duke ofruar garanci dhe siguri për blerësit”, ka deklaruar Hyseni për Front Online.
Në aspektin e shifrave, ai thekson se kompania që drejton është lider në tregun kosovar.
“Ne jemi importuesi më i madh në vend. Nga gjithsej 11,496 vetura të importuara nga Koreja e Jugut gjatë këtij viti, ne kemi sjellë 1,034 vetura. Bazuar në numrin e veturave të shitura, jemi kompania më e madhe në Kosovë, duke përfshirë edhe ato që importojnë vetura nga Evropa apo Amerika”, ka përfunduar Hyseni.
https://frontonline.net/wp-admin/post.php?post=1434511&action=edit